Lajmërimi që u dërgua nga Ministria e ekonomisë deri te komunat në të cilat u mbajtën referendume kundër hapjes së xeheroreve në projektet aktuale por edhe kundër atyre që janë ende në fazën e planifikimit, nuk i demotivoi lëvizjet qytetare të cilat me muaj të tërë po punojnë në terren për të vetëdijësuar qytetarët për rreziqet që sjellin këto xeherore dhe se përfitimi material nuk mund të aryetojë dëmet e mëdha që do të shkaktojnë këto xeherore në ambientin jetësor dhe në mënyrë indirekte në shëndetin e banorëve të atyre vendbanimeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Edhe përkundër informimit që bëri ministria për rregullimet ligjore sipas të cilave nuk mundet në mënyrë të menjëhershme të ndërpriten kontratat për koncesione, nga shoqatat thonë se kjo nuk do të ndalë organizimin e referendumeve si mënyra bazë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me ambientin, shëndetin dhe të drejtat themelore njerëzore dhe se referendumet e radhës në Bosilevë dhe Novo Sello do të mbahen ashtu siç janë planifikuar.
‘Veprimi i Ministrisë së ekonomisë është tentim për presion direkt ndaj komunave dhe organizatorëve të referendumeve, por kjo nuk do të ketë ndikim tek ne, por thjesht do v jetë motivim shtesë që këtë çështje ta çojmë deri në fund’, thonë nga lëvizjet ‘Lugina e Shëndoshë’ dhe ‘Shpëtim për kozjakun’./Telegrafi/