Nga lëvizja “Nënë dhe Fëmija”, thonë se janë kundër tendencës për të rihapur Kombinatin e Jugohromit, siç thonë ata, para se të përfundoj instalimi i filtrave ekologjik dhe ndalimit të gazrave të dëmshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Në të njëjtën kohë, ne jemi të befasuar nga fakti se kjo qeveri po vazhdon me standarde të dyfishta për Tetovën dhe Manastirin. Për ndotjen në Manastir, Ministria e Brendshme ka nisur procedurën penale kundër personave përgjegjës të HEC Manastir, ndërsa në Tetovë, edhe pse ajo u rendit si qyteti më i ndotur në Evropë për të njëjtën vepër, nuk ka iniciuar asnjë procedurë dhe as që është kërkuar përgjegjësi nga pronarët dhe menaxherët e Jugohromit, për shkaktimin e sëmundjeve dhe vdekjeve, por përkundrazi ato subvencionohen nga Qeveria me paratë tona”, thonë ata nga Lëvizja.
Sipas tyre, menaxherët e “Jugohromit” në 5 vitet e fundit nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e nevojshme.
Nga atje ata thonë se “Jugohromi” duhet të paguajë shumë për ndotjen e Tetovës, duke akuzuar se numri i fëmijëve të sëmurë ishte dy herë më i madh gjer sa punonte “Jugohromi”. Në vitin 2015, ky numër ishte 31.446 raste, ndërsa në vitin 2017 kur “Jugohromi” u mbyll, numri i fëmijëve të prekur nga sëmundjet ishte zvogëluar në 18.578 raste. /Telegrafi/