Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA: Të ndalojë poshtërimi i mjekëve shqiptarë

Lëvizja Besa në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni ka tërhequr vërejtjen dhe pakënaqësinë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë në lidhje me konkursin e fundit për ndarje të specializimeve me kofinancim për mjekë të rinj.

‘Se në Maqedoni moti ka perënduar barazia, për çka ne shumë herë kemi tërhequr vërejtjen dhe pakënaqësinë tonë, kësaj radhe dëshmoi Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë. Kështu në konkursin e fundit për ndarje të specializimeve me kofinancim për mjekë të rinj, gjegjësisht punësimin e tyre në 17 institucione publike shëndetësore në Republikën e Maqedonisë, edhe një herë u dëshmua qasja tejet diskriminuese dhe nënçmuese ndaj shqiptarëve që ka ky pushtet i përfaqësuar nga dyshja OBRM-BDI.

Siç u njoftua zyrtarisht, nga gjithsej 74 mjekë të pranuar, vetëm 7 janë shqiptarë. Madje, që të jetë ironia më e madhe, në Strugë është pranuar 1 shqiptar dhe 2 maqedonas, ndërsa – në anën tjetër – në Shtip janë pranuar 10 dhe në Strumicë 7 specializantë. Situata edhe më keq është në Shkup, ku në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup nga 30 specializantë të pranuar vetëm 2 janë shqiptarë.

Duke i pasur parasysh këto të dhëna, Lëvizja BESA kërkon që urgjentisht të ndalojë poshtërimi i mjekëve shqiptarë në Maqedoni dhe të krijohen mundësi të barabarta për zhvillimin e kuadrove të mjekësisë këtu.

E nëse kihet parasysh edhe mungesa e kuadrit profesional mjekësor në vendbanimet shqiptare dhe rritjen e incidencës së shumë sëmundjeve atje, me plot gojë mund të konstatojmë se kjo është Maqedonia e vitit 2016 – 15 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit – dhe gjithë kjo ka ardhur si rezultat i dështimeve shumëvjeçare të partisë shqiptare në pushtet. Nëse ajo kështu e kupton barazinë dhe realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, atëherë i bie se ne kemi pasur shumë të drejtë kur thamë se ajo marrëveshje tashmë është vrarë nga ky pushtet dhe se Maqedonia ka nevojë për riparim serioz për një RIDEFINIM të nocionit të barazisë’ thonë nga Lëvizja Besa. /Telegrafi/

Këtë diskriminim, të parin e shpalosi Telegrafi Maqedoni.

Gjithashtu lexo: Diskriminimi i mjekëve shqiptarë nga Ministria e shëndetësisë, Ipçja refuzon të përgjigjet

Gjithashtu lexo: Specializimi i mjekëve të përgjithshëm, 10 për Shtipin, 1 për Tetovën

Exit mobile version