Site icon Telegrafi

Lëvizja BESA prezantoi programin për zhvillim rajonal ”Korab 2025” (Video)

Në kuadër të fushatës zgjedhore, Lëvizja BESA ka prezantuar programin për zhvillim rajonal ”Korab 2025”, që sipas kësaj lëvizje, është përpiluar në bashkëpunim me ekspertë nga Sllovenia, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas BESëS, qëllimi i këtij programi është ringjallja turistike e kësaj pjese të Maqedonisë, sepse potenciali i saj deri tani, për shkaqe të sqarueshme, nuk është shfrytëzuar sa duhet.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA, theksoi: “Në këtë rajon gjenden viset ndër më të bukurat në Ballkan dhe Evropë, jo vetëm për zhvillim të turizmit dimëror, por gjatë gjithë stinëve të vitit. Ngjashmëria me viset turistike të Sllovenisë është aq e madhe, prandaj edhe kemi vendosur që të shfrytëzojmë përvojat e këtij shteti mik, për përgatitje të platformës. Kjo platformë është më seriozja që është përgatitur deri tani. Ne tashmë kemi gjetur edhe investitorët, të cilët janë të gatshëm të fillojnë me punime sapo të ndodhin ndryshimet në zgjedhjet e 11 dhjetorit, zgjedhje pas të cilave do të formohet një qeveri serioze, e cila do të jetë partner e jo reketuese e investitorë të huaj. Maqedonia posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për tu bërë qendër e turizmit dimëror në Ballkan, sepse në asnjë vend tjetër të Ballkanit, e ndoshta edhe Evropës, nuk ka qendra turistike dimërore aq afër aeroporteve, sa gjenden qendrat turistike në Maqedoni afër aeroportit të Shkupit dhe të Ohrit.”/Telegrafi/

Exit mobile version