Site icon Telegrafi

Lëvizja Besa: “Barazia ekonomike” e BDI-së nënkupton vazhdim të varfërimit dhe mjerimit të shqiptarëve

Në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, Lëvizja Besa ka reaguar ndaj platformës së prezantuar të BDI-së, gjegjësisht pikës për ‘barazi ekonomike’.

‘Tashmë të gjithë e dimë se fajtori kryesor për varfërimin e skajshëm dhe diskriminimin konstant të shqiptarëve në të gjitha aspektet, sidomos në atë ekonomik, është pikërisht kjo parti.
Me këët rast duhet të konstatojmë se përgjatë një dekadë e gjysmë, sa është në qeverisje, BDI-ja u dëshmua si e paaftë për t’u siguruar shqiptarëve një mirëqenie më të mirë ekonomike, por përkundrazi:

– Aprovoi diskriminim të vazhdueshëm të shqiptarëve dhe rajoneve të populluara me shqiptarë në shpërndarjen e buxhetit të shtetit dhe të mirave publike, duke mos arritur të sigurojë alokim më shumë se 2-3% prej buxhetit te shtetit;

– Nuk arriti ta bëjë funksionale zonën ekonomike në Tetovë për 16 vite, kurse tash, para zgjedhjeve, edhe investimet që bën OBRM-PDUKM-ja i përshkruan si suksese të saj;

– BDI arriti ta partizojë në shkallë të madhe administratën publike dhe ofroi punësime vetëm për militantët partiakë, duke mos kontribuar në uljen e papunësisë dhe zbutjen e varfërisë te shqiptarët, por duke rritur skllavërimin e shqiptarëve nga partia;

– BDI ka krijuar kushte që punëdhënësin më të madh të bëjë shtetin, që është element rreziku për ekonominë e tregut të punës.

– Një e arritur tjetër e BDI-së është edhe zhvatja, pengesa e bizneseve shqiptare dhe, më në fund, mbyllja rekord e tyre, gjë që e dëshmon regjistri qendror;

– Kjo parti stimuloi korrupsionin në gjitha nivelet, me çka i bëri milionerë brenda natës shumë funksionarë të saj;

– I vendosi shqiptarët buzë greminës së ekzistencës, duke i rritur rastet sociale dhe duke e thelluar varfërinë, me çka shqiptaret i detyroi që emigrimin jashtë vendit ta shohin si të vetmin opsion për një jetë më të mirë për familjet e tyre;

– Gjithashtu BDI është bashkëpjesëmarrëse në harxhimet marramendese të Qeverisë për projektet kryekëput maqedonase (si “Shkupi 2014” etj.), si dhe në rritjen e borxhit publik. Kështu drejtpërdrejt i kontribuoi realizimit të “Prerodba”-s së partnerit të koalicionit OBRM-PDUKM.

Këto janë vetëm disa nga të bëmat e BDI-së gjatë qeverisjes në këto plot 14 vite, andaj ky subjekt më së paku është i thirrur të ofroj dhe i aftë të sigurojë barazi ekonomike të shqiptareve, duke marrë parasysh se në mënyre permanente ka kontribuar për pabarazinë dhe diskriminimin e tyre. Prandaj me të drejtë konstatojmë se kjo parti me “barazi ekonomike” e ka për qëllim vetëm varfërimin e mëtejshëm të shqiptarëve’, thonë nga kjo Lëvizje. /Telegrafi/

Exit mobile version