Lëvizja Besa në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni ka reaguar në lidhje me krizën ekonomike në Maqedoni dhe vështirësitë që përballen qytetarët e Maqedonisë.
‘Në Maqedoni vitet e fundit po rritet përqindja e personave dhe familjeve që jetojnë në varfëri të skajshme, e cila nënkupton që një familje nuk ka mundësi që me kohë ta mbulojë njërin ndër elementet bazë për jetë, siç janë fatura e ujit, rrymës, shpenzimet e konsumit për ushqimet bazë, taksën komunale etj. Kështu nga viti 2010 për çdo vit kemi rënie të mirëqenies ekonomike dhe, ndërkohë, kemi rritje të varfërisë. Në këtë mënyrë këtë vit përqindja e varfërisë në Maqedoni është në 46% (më parë ka qenë 43.2%). Kjo rritje e përqindjes së varfërisë vjen si rezultat i papunësisë së lartë në Maqedoni. Siç e dimë, Maqedonia renditet e parafundit, pas Bosnjës, me 26% papunësi në rajon. E keqja është se niveli e varfërisë ndikon edhe në huamarrjet e shtetit, që nuk janë huamarrje për investime kapitale, por janë kredi për rrogat, kredi për mbulimin e kredive të vjetra ose kredi për projekte fiktive, ku mjetet “avullohen” brenda orës dhe pastaj qytetarët, me anë të instrumenteve fiskale shtetërore, detyrohen t’i paguajnë këto kredi dhe kjo detyrimisht ndikon në rritjen e varfërisë. Sigurisht që në këtë ka impakt edhe kriza politike në vend, që i bën të pamundshme investimet e huaja dhe të vendit, kjo nga frika se nuk ka siguri politike. Krejt këto elemente kanë ndikuar në rritjen e varfërisë së skajshme në vend.
Ndonëse kjo qeveri ka promovuar e reklamuar projekte sociale për zbutjen e papunësisë, ato kanë rezultuar të pasuksesshme, sepse nuk kemi asnjë lëvizje në drejtim të uljes së papunësisë ose rritjes së standardit të jetës. Madje, për fat të keq, ka ndodhur e kundërta: ka rritje të varfërisë, që nënkupton se projektet e tilla më tepër kanë qenë fiktive – vetëm për të tërhequr mjete nga buxheti dhe jo që të investohet në produktivitetin e punës. Megjithatë, edhe këto mjete “po avullohen”.
Nëse vazhdon ky trend i zhvillimit të ngjarjeve politike, ndalimi i investimeve të huaja, vazhdimi i marrjes së kredive jokapitale, por vetëm harxhuese, si dhe moszhvillimi i biznesit të vendit për shkaqe sigurisë politike, është e sigurt do të kemi rritje edhe më të madhe të përqindjes së varfërisë, e cila deri në fund të vitit mund të arrijë deri më 50% dhe kjo të sjellë edhe efekte të tjera anësore ekonomike dhe sociale.
Prandaj, për ta ndalur këtë trend, Lëvizja Besa – nëpërmjet presionit politik ndaj Qeverisë aktuale dhe përgatitjes së platformës së saj politike dhe ekonomike – pikën kyçe do ta ketë në ndalimin e rritjes së varfërisë në vend, duke zhvilluar politika proteksioniste për ekonominë e vendit, duke krijuar klimë për investimet e huaja dhe duke e motivuar biznesin e vendit. Ndërkaq huamarrjet e detyrueshme do të orientohen për investimet kapitale, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit’, thuhet në deklaratën e Lëvizjes. /Telegrafi/