Telegrafi

Levada Center: Vetëm 27 për qind e rusëve janë të gatshëm ta votojnë partinë e presidentit Vladimir Putin

Kur kanë mbetur më pak se një muaj kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Rusi, vetëm 27 për qind e qytetarëve janë të gatshëm ta votojnë partinë “Rusia e Bashkuar”, që drejtohet nga presidenti aktual Vladimir Putin.

Kështu thuhet në sondazhin më të fundit të Qendrës së Pavarur ruse “Levada Center”.

Sipas medieve të huaja, zgjedhjet e 19 shtatorit shihen si një përpjekje e Putinit për ta vazhduar sundimin e tij, deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 2024.

Udhëheqësi 68-vjeçar rus, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se dy dekada, vitin e kaluar ka bërë disa ndryshime kushtetuese, që lejojnë atë ta mbaj pushtetin deri në vitin 2036.

Derisa afrohen zgjedhjet, përkrahësit e opozitës ruse, mediet e pavarura dhe aktivistët e të drejtave të njeriut përballen me presion të shtuar të qeverisë, i atribuuar nga dëshira e Kremlinit që të siguroj se “Rusia e Bashkuar” duhet të ruajë pozicionet e saj dominuese në Duma.

Fraksioni i “Rusia e Bashkuar” aktualisht mban 334 vende nga 450 sa ka parlamenti.

Gjatë takimit me zyrtarët e partisë së tij, Putin ka njoftuar se do të rritet pensioni i ushtarakëve rusë nga 135 dollarë në 200 dollarë.

Leonid Volkov, aleati kryesor i udhëheqësit të opozitës i cili po mbahet i burgosur Alexei Navalny, e denoncoi masën si një “ryshfet i hapur ndaj votuesve”.

Lexo po ashtu Shtypja e medieve të pavarura ruse – pesë arsyet se pse Kremlini po i ndalon ato

Ekipi i Navalnyt është përballur me një përndjekje intensive nga Kremlini. Ndërsa, Navalny po mbahet në burg, Fondacioni i tij për Luftën kundër Korrupsionit dhe një rrjet organizatave janë klasifikuar ekstremiste. Ky përcaktim ua ka pamundësuar personave të lidhur me grupet të kërkojnë poste publike, duke i ekspozuar ata me burgime afatgjate.

Kremlini ka shpallur gjithashtu një numër të medieve të pavarura dhe gazetarëve si “agjentë të huaj”, një etiketim që nënkupton kontroll shtesë të qeverisë, duke i diskredituar ata.

Kujtojmë se, policia ruse gjatë ditë së shtunë ka arrestuar të paktën 9 gazetarë që protestuan për lirinë e shtypit para ndërtesës së Lubyanka që është selia qendrore e Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës (FSB). /Telegrafi/