Site icon Telegrafi

Letra sekrete për Hysni Kapon: Në prani të Shefqet Peçit, poetët e shkrimtarët s’e ngritën dollinë e parë për shokun Enver!

Nga: Dashnor Kaloçi (pjesë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, që pritet të dalë së shpejti)

Një dokument arkivor nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), i cili i përket vitit 1973, ku ndodhet një letër personale me siglën “sekret”, ku sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës, Ali Manaj, informon sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapo, lidhur me një vizitë që kishte bërë ato ditë në rrethin e Tepelenës, nënkryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe njëkohësisht, deputeti i asaj krahine, Shefqet Peçi, i shoqëruar nga disa miq të tij, shkrimtarë, poetë, ushtarakë e zyrtarë të tjerë të lartë, me origjinë nga ajo zonë. Sipas informacionit sekret të Ali Manaj, gjatë një dreke që ishte shtruar nga kooperativa bujqësore e Progonatit për nder të shokut Shefqet Peçi, miqtë që e shoqëronin, nuk e ngritën dollinë e parë për Partinë dhe shokun Enver. Si dhe shënimi i Enver Hoxhës e porosia e Hysni Kapos lidhur me atë ngjarje?!

Shefqet Peçi ish-komandanti partizan me origjinë nga fshati Picar i Tepelenës, ku dhe ka lindur më 1 maj të vitit 1906, pas vitit 1945 e deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, mbajti dhe ushtroi një sërë detyrash të larta shtetërore. Në vitet 1970-1982- shërbeu edhe si nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, pasi ishte deputet që nga legjislatura e parë e vitit 1945 e deri më 1991. Veç këtyre detyrave shtetërore, nga viti 1950 e deri më 1991, ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së.

Por, përveç gjithë këtyre detyrave dhe ofiqeve të larta shtetërore e partiake, Shefqet Peçi ishte dhe një “poet”, apo më saktë e konsideronte veten të tillë dhe, gjithashtu, autor i disa librave me temë nga “Lufta Nacional-Çlirimtare”. Ai nuk shkruante vetëm poezi me temë nga lufta, por edhe ato me temë nga politika, ku e “demaskonte” imperializmin amerikan dhe revizionizin sovjetik.

Kështu, në një nga poezitë e tij, ai shkruante: “Them ku është parajsa / thonë në Uashington/ Ku Shtëpi e Bardhë, veç katran kullon”. Përveç poezive që Shefqeti shkruante vetë, disa poetë të tjerë i kanë thurur atij këngë, balada dhe poezi për trimëritë e tij të treguara gjatë periudhës së Luftës, të cilët para viteve 1990 ishin botuar edhe në tekstet shkollore të ciklit të shkollës tetëvjeçare. Në një nga ato poezi kushtuar Shefqet Peçit, midis të tjerash poeti … shkruante: “Si naganta nuk na ngeci në Kuç e në Korab / Kur na thërriste në sulm përpara Shefqet Peçi, komandant ynë lab”. Në këtë kontekst, Shefqet Peçi gëzonte popullaritet të madh në zonën e tij të Kurveleshit ku ishte deputet dhe ai shkonte herë pas here për të takuar zgjedhësit e tij dhe për të “zgjidhur problemet e hallet” që ata kishin.

Shefqeti kurrë nuk shkonte vetëm në zonën e tij elektorale, por gjithnjë merrte me vete disa nga miqtë e shokët e tij më të afërt, kryesisht ata që ishin me origjinë nga krahina e Kurveleshit. Dhe, më shpesh atë e shoqëronin edhe disa poetë e shkrimtarë me origjinë nga ajo zonë, bashke më të cilët ai merrte pjesë si në mbledhje, ashtu dhe në dreka e darka që shtronin për të, si “populli” i asaj krahine, ashtu dhe organet e pushtetit lokal ku rakia shkonte lumë me dolli për “Partinë dhe shokun Enver”.

Lidhur me këtë, bën fjalë dhe dokumenti që mban datën 13 gusht 1973, ku sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës, Ali Manaj, ka informuar sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapon, me anë të një letre “personale” me siglën sekret. Ajo çka e ka detyruar sekretarin e Komitetit të Partisë së Tepelenës, t’i shkruante Hysni Kapos, apo më saktë Enver Hoxhës (pasi ai e dinte fare mirë që letrën e tij Kapo do t’ia dërgonte menjëherë Enverit), ka qenë problemi i dollive të rakisë, ku miqtë shkrimtarë nga Tirana që kanë shoqëruar Shefqet Peçin në atë darkë, nuk e kanë ngritur dollinë fillimisht për Partinë, por për popullin e Kurveleshit. Sepse, sipas “zakoneve të reja” të asaj zone dhe, gjithashtu, gjithë Shqipërisë, dollia e parë ngrihej për “Partinë dhe shokun Enver”. Ndërsa, në krahinën e Kurveleshit dhe disa të tjera në jug të vendit, ishte bërë zakon që në dreka dhe darka të ngrihej dolli me gota uji për 13 anëtarët e Byrosë Politike dhe kandidatët e saj, gjë e cila shpesh herë i vinte në vështirësi miqtë e ftuar që nuk ishin mësuar me ato “zakone”, aq sa i bënte ata që jo pak herë të zinin spitalin.

Kështu ka ndodhur edhe në darkën ku ka qenë i ftuar Shefqet Peçi me miqtë e tij nga Tirana, gjë e cila është shkruar me detaje nga Ali Manaj. Madje, njëri prej të ftuarve në atë darkë, mësohet se me nota humori i është drejtuar Shefqet Peçit, duke i thënë: “Shoku Shefqet, ishalla ky Kongres i Partisë që po vjen, do t’i reduktojë pak numrin e kandidatëve të Byrosë Politike, se po na zënë spitalin burrat e fshatit…” (çuditërisht kjo gjë nuk është shkruar në raport-informacionin në fjalë). Por, problemi kryesor që e ka “shqetësuar dhe preokupuar” së tepërmi sekretarin e Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës, Ali Manaj, nuk ka qenë vetëm sasia e dollive të rakisë që janë ngritur aty, “por dollia e parë” që nuk është ngritur për Partinë, që e thënë më saktë nënkuptonte dollinë për Enver Hoxhën.

Dhe, po kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që atë letër, Hysni Kapo, ia ka dërguar menjëherë Enver Hoxhës, i cili ka bërë aty edhe një shënim lidhur me atë “ndodhi”, ku ka qenë “protagonist” vetë Shefqet Peçi. Edhe pse Enveri nuk ka qenë shumë i rreptë në ato që ka shkruar, nuk dihet me saktësi nëse ka ndikuar kjo letër në dënimin që iu bë po atë vit, poetit Agim Shehu dhe poetit, gazetarit e shkrimtarit ushtarak, Ibrahim Gani, të cilët u përjashtuan nga Partia dhe u hoq e drejta e botimit, gjë e cila pasqyrohet edhe në një nga kapitujt paraardhës e këtij libri. Ndoshta qenia e Shefqet Peçit në atë darkë, i ka shpëtuar shkrimtarët që e shoqëronin atë, nga andralla të tjera që mund t’ju vinin edhe nga një dolli rakie e ngritur pa kujdes.

Po kështu, sipas dokumentit në fjalë, edhe Hysni Kapo nga ana e tij ka bërë një shënim ku thuhet: “E thirra shokun Bato Karafili dhe e këshillova që të kenë kujdes me trajtimin e çështjeve në bazë të shënimit që ka bërë shoku Enver”.

***

Letra sekrete e Ali Manaj për Hysni Kapon
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
Personale

KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT
S E K R E T

T E P E L E N Ë    

Ekz. Nr. 1
Nr. 619. Prot.                                                                 

Tepelenë, më 13.8.1973                       

KOMITETIT QENDROR TE P.P.Sh.

(Sh. Hysni Kapo)

 T I R A N Ë

Ju informojmë se prej datës 6/8/1973 deri më 8/8/1973, zona e Progonatit dhe sektori i Salarisë së kooperativës së bujqësore të bashkuar Dukaj, pritën për takime deputetin e zonës së tyre anëtarin e K.Q. të PPSH-së dhe N/kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, shokun Shefqet Peçi. Të cilin e shoqëroja unë, shoku Fuat Loloçi e Dilaver Pinderi. Gjatë takimit me shokun Shefqet, populli dhe komunistet e kësaj zone shprehën edhe njëherë dashurinë e madhe që ushqejnë për Partinë dhe shokun Enver.

Dëgjuan me kujdes porositë që dha shoku Shefqet për detyrat e mëdha që na dalin përpara për të vënë në jetë vendimet e Pleniumit të 4-të të K.Q. të Partisë dhe mësimet dritëdhënëse të shokut Enver.

Por neve e shikojmë të nevojshme t’ju informojmë për disa veprime e koncepte që u shfaqën në një darkë të organizuar me këtë rast në kooperativën bujqësore të Progonatit, të cilat na duken se nuk janë të drejta.

Shoku Shefqet gjatë ditëve që ndejti në Progonat kishte marrë me vete për ta shoqëruar edhe disa shokë si p.sh., shokun Xhaferr Matuka, oficer, shkrimtar, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, shokun Ibrahim Gani, oficer dhe punonjës në redaksinë e gazetës “Luftëtari”, shokun Agim Shehu, punonjës në gazetën “Zëri i Popullit”, shokun Musa Daci, nga Progonati dhe sot me banim në Tiranë, shokun Maksut Drrasa, mjek kirurg në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Faik Dedën nga Nivica, por tani mjek në zonën e Krahësit në Tepelenë.

Gjatë darkës që u organizua me këtë rast në Progonat, siç shpjeguam edhe më lart, kur u ngritën shëndet (dolli) me gotën e ujit e cila i detyroi që të dehen shumë shokë nga rakia, kështu p.sh., nga pirja e rakisë në këtë formë, anëtari i Pleniumit të Komitetit të Partisë së rrethit dhe kryetari i Këshillit Popullor të Bashkuar Progonat, shoku Gjysho Ruci, humbi ndjenjat dhe si rezultat u hodh nga penxherja e katit të dytë dhe sot ndodhet në spital, por me ndihmën e dhënë, duket se dolli jashtë rrezikut.

Kështu gjatë darkës u shfaqën edhe disa qëndrime mjaft të dëmëshme që partia vazhdimisht i ka luftuar dhe i lufton, kështu p.sh., shoku Xhaferr Matuka ngriti dolli për popullin e Kurveleshit.

Unë bashkë me shokët e tjerë e shoqëruamn këtë shëndet duke shtuar edhe shëndetin e gjithë popullit shqiptar, e të shokut Shefqet Peçi me në krye shokun Enver Hoxha, shoku Xhaferr Matuka i nisur nga pozita lokaliste më bëri presin në mënyrë më të padrejtë. Ai u shpreh se: “Dollia duhet pirë vetëm për popullin e Kurveleshit”.

Unë me korrektësi dhe gjakftohtësi u përpoqa t’a bindja, se ato që thashë janë të drejta, që shprehnin dashurinë për popullin e Kurveleshit, për popullin shqiptar, për shokun Shefqet Peçi, për Partinë dhe shokun Enver, të cilët na siguruan ditët e bardha që gëzojmë sot.

Por disa nga shokët e ardhur nga Tirana, nuk më mbështetën si duhet. Përkundrazi, shoku Musa Daci, nga pozita e lokalizmit u ngrit menjëherë në mbrojtje të Xhaferr Matukës, bile duke kaluar më tej në konceptin e tija, duke u shprehur: “Dollinë do ta pijmë për popullin e Kurveleshit, i cili sot nuk është më i bashkuar. Lanet qofshin ata që u bënë sebep për ta ndarë”.

Kjo gjë e prishi atmosferën, sepse u ngrit një problem që nuk ekziston në popullin e Kurveleshit, por që e hedhin hera herës njerëz të veçantë që janë Kurveleshas, por që banojnë në Tiranë dhe gjetkë. Ne prisnin që këtyre mendimeve të shtrembëra, t’u jepej përgjigjie, por që askush nuk e bëri!

Në mbledhjen e popullit të Salarisë, (sektori Dukaj), kur Shefqet Peçi foli në parim kundër shfaqjeve të huaja, vjedhje, shpërdorime të pasurisë shtetërore dhe kooperativiste, ne mendojmë se do të ishte mirë dhe do të na ndihmonte me të gjithë organizatën e partisë në rreth, e sidomos kooperativën e bashkuar Dukaj, po të ishte konkretizuar kjo me ato shpërdorime dhe vjedhje të mëdha që kanë bërë kuadrot e kësaj kooperative, për të cilat shoku Shefqet u interesua dhe ne ja bëmë prezent duke ja shpjeguar me hollësi, përpara se të fillonin takimet.

Këtë e themi kur opinion I përgjithshëm në Parti dhe në popull, për qëndrimin e mbajtur nga ana e organeve përkatese ndaj shkakëtarëve.

SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT

Ali Manaj

***

Shënimi i Enver Hoxhës në letrën e Ali Manaj

Nuk besoj se në atë darkë dollitë të kenë filluar me “shëndetin e popullit të Kurveleshit”, dhe të ishte injoruar të ngrihej dolli për popullin, për Partinë, etj., sa që duhej të bënte letrën shoku Ali Manaj. Shoku Ali si udhëheqës i vendit ku ishte ai, sa herë të ngrinte dollinë e parë për popullin dhe për Partinë etj. Në qoftë se të tilla dolli janë ngritur sa herë…( nuk kuptohet shkrimi) ky e pa e shoku Ali, ishte pa vënd, por ishte me vënd ta ngrihej dolli për popullin e Kurveleshit, që meriton jo një dolli, por njëqind dollira.

Enver Hoxha

***

Shënimi i Hysni Kapos për Bato Karafilin

Thirra shokun Bato Karafili dhe e këshillova të kenë kujdes me trajtimin e çështjeve në bazë të shënimit që ka bërë shoku Enver.

Hysni Kapo

27.9.1973

Exit mobile version