Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 Shkurtit, ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Gjermanisë, Frank- Walter Steinmeier.
Presidenti gjerman ndër të tjera thekson se dialogu me Serbinë mbetet me gjasë sfida më e madhe e politikës së jashtme për Kosovën.
“Unë kam besim në angazhimin konstruktiv të qeverisë suaj për bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE përmes të Ngarkuarit të Posaçëm Miroslav Lajčák, të cilin e mbështes me bindje të plotë”, shkruan Steinmeier.
Letra e plotë e presidentit gjerman:
Zonja Presidente,
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ju përgëzoj përzemërsisht ju dhe qytetarët e vendit tuaj.
17 Shkurtin e vitit 2008 e mbaj mend mirë. Si Ministër Federal i Punëve të jashtme asokohe, së bashku me shumë partnerë evropianë dhe të SHBA-ve, u deklarova në ato ditë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë për njohjen e Kosovës. Ndaj është kënaqësi e veçantë të mund t’ju uroj në përvjetorin e katërmbëdhjetë të pavarësisë së vendit tuaj.
Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani. Gjatë vizitës suaj shtatorin e shkuar në Berlin ne patëm mundësi të thelloheshim në aspekte të shumta të marrëdhënieve tona dypalëshe.
Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian. Në këtë kontekst një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës.
Në të njëjtën kohë dialogu me Serbinë mbetet me gjasë sfida më e madhe e politikës së jashtme për Kosovën. Unë kam besim në angazhimin konstruktiv të qeverisë suaj për bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE përmes të Ngarkuarit të Posaçëm Miroslav Lajčák, të cilin e mbështes me bindje të plotë.
Kosova mund të ketë besim, se te Gjermania do të gjejë një mik dhe partner të besueshëm në krah të saj.
Frank-Walter Steinmeier
President i Republikës Federale të Gjermanisë. /Telegrafi/