Site icon Telegrafi

Letra e komandantit të FSK-së, opozita: Si mund të avancojë kjo mazhorancë planin 10-vjeçar të transformimit kur nuk arrin të menaxhojë çështje teknike e logjistike

Sot gjatë ditës në media është publikuar një letër e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari i cili i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonici që të bëjë zgjidhje konkrete sa i përket ushqimit të ushtarëve.

Në letrën që ka publikuar Gazeta Insajderi, thuhet se Jashari i është drejtuar më datën 7 tetor ministrit me kërkesën, duke i sqaruar se “personeli në kuzhina i angazhuar nga institucionet tjera ka potencuar se deri me datë 11 tetor do të paraqitet në punë”. Si rrjedhojë sipas tyre nga kjo datë mbesin pa kuzhinierë, andaj do të detyrohen t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.

E lidhur me këtë kanë reaguar nga partitë opozitare.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thekson se si mund të jenë të sigurt se kjo mazhorancë mund të avancojnë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në ushtri sipas standardeve të NATO-s, nëse nuk arrijnë të menaxhojnë çështje teknike e logjistike të furnizimit me ushqim të kadetëve të FSK-së.

“Si mund të jemi të sigurt se kjo mazhorancë mund të avancojnë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në ushtri sipas standardeve të NATO-s, nëse nuk arrijnë të menaxhojnë çështje teknike e logjistike të furnizimit me ushqim të kadetëve të FSK-së? Deklarimi i sotëm në media, ku Komandanti i FSK-së ngrit shqetësimet e tij tek Ministri dhe Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes, është tepër shqetësues”, shkruan ai.


Lidhur me çështjen e ushqimit për FSK-në, ka reaguar edhe ish deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai shkruan se kryeministrit Albin Kurti i ka humbur rruga në oborr.

Haradinaj ka thënë se nuk e ka besuar që vjen dita e ushtarët trajtohen në këtë formë si sot.

“Nëse jam ndjerë krenar si deputet i popullit të Kosovës, ka qenë momenti kur kam votuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, ushtri që e mban gjallë shpresën për një vend të sigurtë e në familjen e madhe politiko-ushtarake NATO. Që vjen dita në 2024 ushtarët tanë të trajtohen në këtë nivel, këtë kurrë se kam besuar. Kjo përbën në vete më shumë se krim. Kjo i nxitë armiqtë e Kosovës e që nuk janë të paktë, që të sfidojnë vendin tonë.

Sot do të ishte mirë që përgjegjësit e kësaj situate të ishin të lidhur dhe të përballur me drejtësinë.

Kryeministër, të ka humbur rruga në oborr. Shkarko ata që e bënë këtë krim të turpshëm!”, shkruan ai. /Telegrafi/

Exit mobile version