Telegrafi

Leonora Jakupi nderon të rënët e Jasharajve

Për nder të ditës së dytë të Epopesë së UÇK-së, në kompleksin memorial në Prekaz sot janë bërë homazhet nga qytetarë dhe personalitete të jetës politike e kulturore.

Homazhe në Prekaz ka bërë edhe këngëtarja e njohur nga Drenica, Leonora Jakupi, e cila me këtë rast tha se duhet të punohet sa më shumë për një Kosovë më të mirë.

“T’i ruajmë këto vlera që i kemi trashëguar, të mundohemi për një shtet formues sa më të mirë duke pasur parasysh gjithë këtë sakrificë që është bërë, ta duam më shumë dhe ta respektojmë më shumë njëri tjetrin”, tha Jakupi për KosovaPress.

Këngëtarja përveç homazheve qëndroi për vizitë edhe te familja Jashari, ku u prit nga më i vjetri i kësaj familje, Rifat Jashari.

E për të bërë homazhe tek varrezat e Jasharajve kishin ardhur edhe nxënës të shumtë nga shkollat e ndryshme të Kosovës. /KosovaPress/