Drejtori i Paris Saint-Germain, Leonardo konfirmoi se Edinson Cavani dhe Thiago Silva do të largohen në fund të sezonit si lojtarë të lirë.
Kontratat e dy yjeve të PSG-së do të skadojnë dhe ata janë lidhur me klube të shumta deri më tani.
Cavani pëlqehet nga Interi dhe Atletico Madridi, ndërsa Silva është lidhur me një rikthim te Milani.
Largimi i tyre nga Parc des Princes është i pashmangshëm dhe këtë e ka konfirmuar drejtori Leonardo.
OFFICIAL: PSG sporting director Leonardo has confirmed club captain Thiago Silva and Edinson Cavani will both leave the club this summer 👋 pic.twitter.com/qjcghsbvlq
— GOAL (@goal) June 13, 2020
“Është e vërtetë, ne po arrijmë në fund të rrugës së bashku me ta”, ka thënë fillimisht Leonardo për gazetën Le Journal du Dimanche.
“Ideja është t’i mbajmë deri në fund të gushtit në mënyrë që ata të mund të luajnë në Ligën e Kampionëve”, përfundoi braziliani.
Cavani është 33 vjeç dhe ishte transferuar në PSG nga Napoli për 64.5 milionë eurosh në verën e 2013, duke u bërë golashënuesi më i madh në histori të klubit.
Sa për Thiago Silva, qendërmbrojtësi 35-vjeçar u bashkua me parisienët nga Milani për 42 milionë euro së bashku me Zlatan Ibrahimovic në vitin 2012. /Telegrafi/