Lionel Messi ua ka bërë të qartë drejtuesve të Barcelonës se ka vendosur të largohet, duke iu dërguar edhe një letër zyrtare, ku u kërkonte aktivizimin e klauzolës që e lejon ndërprerjen e parakohshme të kontratës.
Kur të gjithë me sy e vesh janë në drejtim të këtij klubi, mediat nga Argjentina shkruajnë se të hënën Messi do të kthehet në stërvitje.
Kjo pasi avokatët e kanë këshilluar që të respektojë të gjithë detyrimet në kontratë me klubin katalanas, duke qenë se vetëm tani i ka vënë në dijeni drejtuesit për ndërprerjen e kontratës.
Pikërisht e hëna e 31 gushtit do të jetë një ditë mjaft e rëndësishme për të ardhmen e Lionel Messit, pasi drejtuesit e Barcelonës do të bëjnë një përpjekje të fundit për t’i ndryshuar mendjen.
Kujtojmë se Messi zgjodhi faksin, si mënyrë për të njoftuar klubin e Barcelonës se dëshiron të aplikojë klauzolën për ndërprerjen e kontratës.
Kjo mënyrë komunikimi është mjaft zyrtare dhe përmban gjithmonë nënshkrimin e dërguesit të dokumentit.
Ky faks shërben si dokument ligjor për t’u paraqitur në gjykatë, nëse çështja do të shkojë deri atje, ndaj drejtuesit e Barcelonës janë të detyruar që shumë shpejt t’i japin një përgjigje me shkrim yllit argjentinas. /Telegrafi/