Andy Ruiz dhe Anthony Joshua do të ripërballen në fund të këtij viti, por ende nuk është mësuar vendndodhja e meçit të madh.
Boksier britanik e aktivizoi menjëherë klauzolën e rimeçit, pas humbjes që pësoi ndaj meksikano-amerikanit më 1 qershor.
Joshua pësoi humbjen e parë në karrierë, për më shumë atij iu morën nga Ruiz edhe tituj e botës si, WBA, WBO dhe IBF.
Legjenda e boksit, Lennox Lewis, ka thënë se kampionit botëror duhet t’i jepet shansi që ta mbrojë titullin e më të mirit në vendlindjen e tij.
“Ju e dini se ku dëshiroj që meçi të zhvillohet. Në Meksikë”, ka thënë Lewis për fighthype.com. “Kjo është hera e parë në histori që kemi një kampion të peshave të rënda në Meksikë”.
“Nuk e kam menduar se një gjë e tillë do të ishte e realizueshme. Ta shikoj Andy Ruizin në këtë ditë dhe në këtë stil. Jepni shansin Ruizit që ta zhvillojë shansin në vendlindjen e tij, jepni shansin meksikanëve ta shikojnë përballjen Ruiz – Joshua, pasi në New York ata nuk kishin mundësi ta shikonin”, ka thënë Lewis.
Promoteri Edie Heran ka thënë se Joshuas nuk i intereson ku do të zhvillohet rimeçi, britanikut i intereson vetëm rikthimi i titujve. /Telegrafi/