Telegrafi

Lenjani përgatit rikthimin te Kombëtarja dhe nuk flet për Panuccin: Jam krenar që luaj për vendin tim

Ermir Lenjani është duke kaluar nëpër një formë të mrekullueshme në kampionatin zviceran.

Së fundmi mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë ka shënuar dy gola për Sionin për t’i dhënë tri pikët në përballje ndaj Thunit 1-2.

Ai ka folur për mediat zvicerane për rolin e tij të ri në Sion që po luan më i avancuar.

“Unë luaj në atë pozitë që më thotë trajneri dhe nuk e kam problem asnjëherë. Tani po luaj më ofensivë por është në rregull”.

Kamenicasi ka folur edhe për krisjen e tij me ish-trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci.

“Mes meje dhe Panuccit është thënë gjithçka, nuk ka mbetur asgjë për t’u thënë”, deklaroi mbrojtësi shqiptar, që mirëpret trajnerin e ri të Kombëtares.

“Unë mirëpres çdo trajner që do të vijë. Jam krenar dhe do të luaj për vendin tim”, ka thënë Lenjani. /Telegrafi/