Ermir Lenjani është një ndër futbollistët e shumtë kuqezi të rritur dhe formuar në Zvicër dhe që fati u ka rezervuar si kundërshtar në takimin debutues të “Euro 2016” pikërisht përfaqësuesen helvete.
Për 26-vjeçarin, që flet për “Neue Zurcher Zeitung” është një miks emocionesh pozitive, pasi jeta e tij është e ndërthurur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës.
“Ndeshja me Zvicrën është e veçantë, ka diçka të bukur dhe më jep një ndjesi shumë pozitive. Do të kem rastin për t’u përballur me skuadrën e vendit ku jam rritur dhe më ka dhënë mundësinë për t’u bërë ky që jam sot. Familja la Prishtinën në vitin 1992 dhe u vendos në Gibsëil pranë Cyrihut. Më pas jetuam në Ëinterthur, ku shih edhe të ardhmen tim pas karrierës futbollistike”.
Mirënjohës për mundësinë që i ka dhënë Zvicra, por krenar për të qenit shqiptar. Lenjani nuk u shpëton dot ndjenjave patriotike.
“Kur mendoj Zvicrën, në mendje me vijnë malet tona. Dëgjoj fjalën Shqipëri dhe menjëherë kujtoj shqiponjën dykrenare. Unë kam përfituar shumë nga të dyja kulturat. Jam krenar që në venat e mia rrjedh gjak shqiptar, por Zvicra u ka dhënë mundësi shumë bashkpatriotëve të mi që të kenë sukses në jetë”, deklaroi Lenjani, transmeton Supersport.
Dëshira për ta nisur me fitore Evropianin dhe për të bërë të lumtur fansat kuqezi është e madhe.
“Edhe pse jam shumë i lidhur me Zvicrën, në ndeshjen e parë të Evropianit do të jap maksimumin për skuadrën time për të bërë të lumtur dhe krenarë fansat tanë. Për mua është nder që përfaqësoj Shqipërinë. Familja dhe miqtë ndihen krenarë me mua, dhe kjo më jep motiv dhe energji për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Kam lidhje të forta edhe me Kosovën, vendlindjen time, nga ku u largova vetëm kur isha 3-vjeç. Udhëtoj shpesh në Shqipëri dhe Kosovë dhe kur nëna më gatuan ushqime tradicionale ndihem vërtet në shtëpinë time”, ka thënë Lenjani