Ermir Lenjani është shtylla e Kombëtares së Shqipërisë, pasi pothuajse çdo aksion i ‘shqiponjave’ kalon nga këmbët e tij.
I lindur në Zvicër, ka rrënjët nga Kosova por ndihmon fuqishëm Kombëtaren e Shqipërisë.
Djaloshi nga Kamenica ka folur për Telegrafin rreth EURO 2016, duke treguar se është shumë i lumtur që është pjesë e këtij evropiani.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kampionatit Evropian. Është diçka e bukur për mua dhe për gjithë popullin shqiptar që jemi këtu, është një realizim i një ëndrre shekullore”, thotë Lenjani për Telegrafin.
“E mira është që nuk kemi presion pasi kemi arritur objektivin madhor dhe do t’i qasemi ndeshjeve një nga një”.
“Fillimisht mendojmë për Zvicrën ku duam një rezultat pozitiv, pastaj do të ndeshemi me Francën dhe Rumaninë. Nuk kemi bërë matematika tani pasi duam që çdo ndeshje të futemi të fokusuar dhe të befasojmë”, deklaroi Lenjani për Telegrafin.
26-vjeçari ka një mesazh edhe për tifozët kuq e zi, për të cilën ndjen një dashuri të madhe.
“Do të jemi të fuqishëm në evropian pasi ka mijëra tifozë që kanë pushtuar Francën për të na përkrahur. Do të kemi motiv shtesë kur i kemi tifozët më të mirë në botë pas vete”, vazhdon tutje Lenjani që tregon edhe favoritin e grupit.
“Franca është favorite e madhe. Ata kanë futbollistë fantastik që janë në gjendje të bëjnë dallimin në çdo moment. Nuk është vetëm Pogba dhe Griezmann por janë të gjithë. Mendoj se ata do të shkojnë deri në finale”, përfundoi Lenjani.
Anësori ka arritur të shënoi së fundmi edhe gol me Shqipërinë në fitoren 3-1 ndaj Katarit, ndërsa pati paraqitje të mirë edhe ndaj Ukrainës. /Telegrafi/