Telegrafi

Dy të lënduar në një aksident mes një kamioni, veture zyrtare dhe një furgoni në autostradën “Ibrahim Rugova”

Dy persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 06:00 si pasojë e një aksidenti mes një kamioni, një veture zyrtare dhe një furgoni, në autostradën “Ibrahim Rugova”, në hyrje-dalje në Mazgit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi për Policinë e Kosovës, Daut Hoxha.

Sipas tij, personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësorë.

“Ju informoj se më datën 11.07.2023 rreth orës 06:00, është raportuar se në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në hyrje – dalje në Mazgit është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë: Një automjet zyrtar, një kamion dhe një mjet furgon (kombi) dhe si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar dy persona të cilët janë dërguar për trajtim mjekësorë”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu siç u shpreh Hoxha, rastit i janë përgjigjur njësitet relevante policore për menaxhim trafiku në autostradë, ekipe tjera dhe autoambulanca.

“Prokurori dhe autoritetet tjera janë njoftuar për rastin dhe pas kryerjes së procedurave të vend shikimit rruga është liruar pas ndërprerjes së përkohshme të qarkullimit të trafikut”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/