Rimeçi i caktuar ndërmjet Tyson Fury dhe Deontay Wilder mund të shtyhet për shkak të lëndimeve që i pësoi britaniku në duelin kundër Otto Wallin – ka thënë promovuesi Frank Warren.
31-vjeçari pësoi një çarje të rëndë mbi syrin e djathtë në raundin e tretë dhe e zhvilloi pjesën e tjetër të duelit (deri në raundin e 12-të me këtë dëmtim). Pas përballjes, ai u dërgua në spital për t’iu nënshtruar intervenimit kirurgjik për mjekimin e atij lëndimi.
Më 22 shkurt 2020, Fury do ta sfidojë Wilderin për titullin WBC të kategorisë së peshave të rënda, mirëpo Warren paralajmëron se koha e shërimit të 31-vjeçarit mund të jetë më e gjatë dhe në këtë mënyrë mund të ndikojë në datën e duelit.
“Nëse nuk shërohet mirë, meçi ndoshta duhet të shtyhet. Shpresojmë që të mos ndodhë kështu. Varet se si do të shërohet. Nëse është gjithçka në rregull, nuk do të jetë problem.
“Nuk është vetëm meçi, por do të ketë stërvitje dhe sparing. Ai duhet të jetë qind për qind i shëndoshë”, ka deklaruar Warren për BBC Radio 5 Live.
Rimeçi i muajit shkurt 2020 vjen pas duelit të muajit dhjetor 2018 në Los Angeles që përfundoi baras dhe Wilder e mbajti titullin WBC. Në ndërkohë, kujtojmë që boksieri amerikan do të ndeshet me Luis Ortizin në nëntor të këtij viti. /Telegrafi/