Telegrafi

Lëndimi i Danilo Pereiras “që askush nuk mund ta shpjegojë”

(Foto: Twitter/PSG Chief)

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, pranon se ka mbetur i habitur nga lëndimi në brinjë i Danilo Pereiras në stërvitje, para ndeshjes ndaj Uruguait.

Një komunikatë e lëshuar të shtunën në faqen zyrtare të Federatës Portugeze të Futbollit thoshte se lojtari i Paris Saint-Germainit ishte i padisponueshëm pasi kishte “pësuar një frakturë të tre harqeve të brinjëve”.

“Ky është një lloj lëndimi që askush nuk mund ta shpjegojë. Nuk e kuptojmë se si mund të ketë ndodhur. Është normale të ndodhin këto lloj lëndimesh, por ne nuk e kemi parë se si ka ndodhur saktësisht”.

“Fillimisht, nuk menduam se ishte serioze, sepse bëmë disa ekzaminime për të shikuar nëse po merrte frymë si duhet dhe ashtu ndodhi, mirëpo më pas e pamë se ishte më serioze sesa kishim pritur. Sidoqoftë, jemi duke e përcjellë”.

(Foto: Twitter/TCR)

“Unë nuk jam mjek, nuk mund të flas për këtë në detaje. Por, me sa di unë ai po evoluon pozitivisht dhe ne presim ta kemi shumë shpejt në fushën e lojës – por në rast se nuk mundemi, kemi tre lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojnë atë. Pra, nuk kemi nevojë të bëjmë ndonjë dramë”.

“Jemi shumë të pikëlluar për shkak të lëndimit të tij. Tani po mendojmë për shëndetin e tij dhe mendoj se mbi të gjitha duhet të mendojmë për një lojtar si qenie njerëzore”, ka thënë trajneri në një konferencë për shtyp.

Portugalia shpreson të fitojë ndaj Uruguait, në mënyrë që ta sigurojë kualifikimin në të tetën e finales në Kampionatin Botëror, ndërsa Pereira do të kontrollohet përsëri për të shikuar për cilën ndeshje do të jetë në dispozicion. /Telegrafi/