Site icon Telegrafi

Lëndim i rëndë trupor – viktima dërgohet për tretman në QKUK, Policia arreston dy të dyshuar për sulm në Ferizaj   

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar për një përleshje fizike në Ferizaj, ku si pasojë një person është lënduar rëndë dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Në njoftimin për media thuhet se më 10.10.2024 rreth orës 18:30 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se në rrugën “Ilir Konushveci” në Ferizaj disa persona ishin përfshirë në një përleshje fizike.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë së rendit dhe hetuesit policorë, të cilët kanë identifikuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë dy persona, ndërsa një person është larguar në drejtim të panjohur.

Nga hetimet e para është mësuar se pas një zënke mes tyre, lëndime trupore ka pësuar një person, të cilin për ndihmë mjekësore e kanë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari Z.V ( M/K), i moshës 55 vjeçar është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari L.V është liruar për procedurë të rregullt hetimore, kurse N.R mbetet në kërkim policor.

Rasti është cilësuar “Lëndim i rëndë trupor”. /Telegrafi/

Exit mobile version