Telegrafi

Lekaj, VV-së: A jeni në gjendje me mbrojt shtizën e flamurin që e vendosët sot në kufi?

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka theksuar se Zoti krahët me ia dhanë kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe presidentit Hashim Thaçi, nuk do të mund ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Ai, në emisionin Rrokum Roll në televizionin Rrokum, duke e komentuar ultimatumin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili ka theksuar se brenda 10 ditëve duhet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin, ka thënë se nuk është çudi që në Kosovë të përzihen kompetencat.

“Nuk është punë e Thaçit me dhanë ultimatume te tilla. Qeveria ka ndikim në Parlament, në vend që me ndodhë e kundërta”, ka theksuar Lekaj.

Ai ka thënë se ratfikimi i demarkacionit nuk do të bëhet në asnjë mënyrë, duke shtuar se AAK-ja do të kthehet në Kuvend për të mos e lejuar ratifikimin.

“Na kemi thënë që marrëveshja duhet me u kthy nga fillimi, dhe se komisioni i demarkacionit bashkë me Qeverine duhet me u shkarku, sepse të dyja kanë përgjegjësi”, tha ai.

I pyetur se si do të ndalet ratifikimi i marrëveshjes, deputeti i AAK- , ka thënë se ka deputetë edhe brenda pozitës të cilët nuk do ta votojnë atë.

“Këtë e dimë, sepse jemi në kontakt me ta”, ka shtuar ai.

Lekaj ka folur edhe për kthimin e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se “VV ka bërë gabim qe është kthyer në Kuvend”.

“Kjo i ngjason lojërave të fëmijëve, sepse nuk është arritur efektshmëria e veprimeve të opozitës”, ka thënë Lekaj.

Ai ka folur edhe për veprimin e VV-së, eksponentë të lartë të të cilës kishin vendosë vet se ku është vendi ku ndahet Kosova me Malin e Zi, duke thënë se “kufiri nuk mbrohet me shtiza dhe me tabela ‘mirë se vini ne Kosovë’, sepse duhet me mbrojt mandej shtizën dhe flamurin mbasi që e ke vendosur atë”, ka shtuar Lekaj. /Telegrafi/