Site icon Telegrafi

Lekaj: Do ta kundërshtojmë ratifikimin e Demarkacionit me të gjitha format demokratike

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se nuk kanë kërkesë nga Kuvendi për ta mbajtur mbledhjen e Kryesisë.

Kjo javë mund të jetë vendimtare për kalimin e demarkacionit, që qeveria pritet nesër në mbledhje të vendos për ta dërguar në Kryesi të Kuvendit.

“Nuk na ka ardhur kërkesë për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë Lekaj për lajmi.net.

Shefi i deputetëve të AAK-së në Kuvend ka thënë se do ta kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend me të gjitha format demokratike, duke përjashtuar dhunën në çdo variant.

“Sa i përket demarkacionit ne do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet politike, duke i përjashtuar mjetet e dhunës, mirëpo të gjitha mjetet demokratike do t’i përdorim. Dhe ajo që është më kryesorja është vota kundër e Aleancës dhe opozitës dhe atyre deputetëve që kanë integritet dhe nuk kanë ndryshuar mendjen”, ka thënë Lekaj.

Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të ikë sa më parë për të mirën e qytetarëve, ndërsa ka thënë se i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka edhe më shumë vullnet për ta kundërshtuar demarkacionin me të gjitha mjetet demokratike.

“Kjo qeveri sa më parë që të ikë është më mirë për vendin dhe qytetarët dhe shpresoj që shumë shpejt më në fund do ta merr vendimin e merituar nga parlamenti. z.Haradinaj nuk e ka ndryshuar fare mendimin dhe as qëndrimin për demarkacionin, përveç që ka vullnet edhe më shumë ta kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike”.

Qeveria ende nuk ka dhënë asnjë konfirmim që do ta procedojë në Kuvend këtë javë demarkacionin, edhe pse një gjë e tillë i është kërkuar javën që shkoi nga SHBA-të të parit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë.

Exit mobile version