Site icon Telegrafi

Lekaj: Sjellja e Kurtit fyese për Haradinajn, Dugolli: Lideri i AAK-së nuk mundi ta dëgjojë ekspozenë e kryeministrit

Kryeministri Albin Kurti mëngjesin e së martës takoi kryetarët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj doli i revoltuar nga ndërtesa e Qeverisë, duke u arsyetuar se kryeministri “po mbante ligjërata e nuk po e sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën”.

Në RTV Dukagjini për këtë ngjarje janë përplasur deputetët e LVV-së dhe AAK-së.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka lëshuar takimin me kryeministrin e vendit Albin Kurti, pasi ky i fundit nuk e ka ftuar opozitën për të dhënë ndonjë plan për zgjidhjen e çështjes dhe sipas Lekajt, ”një sjellje e tillë për Ramush Haradinajn ka qenë jo e pranueshme dhe mjaft fyese dhe ai me të drejt e ka lëshuar takimin“.

Por deputeti i LVV-së, Enver Dugolli thotë se Haradinaj nuk ishte i interesuar të dëgjojë Kurtin në atë takim.

“Nëse nuk je i interesuar të dëgjosh, atëherë ti shkon me paramendim shkon që ta lësh atë takim. Haradinaj nuk ishte i interesuar të dëgjojë Kurti çka po flet. Ai nuk ishte në gjendje të dëgjojë një ekspoze, fjalë hyrëse të zotit Kurti dhe e lëshon takimin në mënyrë demonstrative. Pse nuk e lëshuan takimin e edhe dy liderët tjerë opozitarë. Nuk është fer të akuzohet Kurti për diçka që nuk është përgjegjës”.

Lekaj është kundërpërgjigjur duke thënë se Haradinaj nuk kishte lëshuar me paramendim takimin.

“Kurti i iki temës për të cilën ishte thirrur”, duke thënë se Haradinaj po të dëshironte nuk do të shkonte fare në takimin e Kurtit.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me partitë opozitare ka thënë se ai ka shkuar “shumë mirë”, derisa shtoi se përshtypja e tij është se krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues.

“Takimi që pata sot në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, tha Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version