Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka reaguar lidhur me ndërprerjen e punimeve në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se është për keqardhje kur dëgjon se po pengohet sipas tij, një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit.
“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale. Prandaj, Hani i Elezit duhet t’i gëzohet realizimit të këtij projekti, për të mirën e vendit”, ka shkruar Lekaj.
Ndryshe, Komuna e Hanit të Elezit ia ka ndërprerë punimet kompanisë Bechtel-Enka gjatë orëve të vona të natës në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.
Komuna arsyetohet se ky vendim është marrë për shkak se kompania po zhvillon punime gjatë natës dhe po pengon qytetarët e komunës. /Telegrafi/