Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka theksuar se që nga dita e nesërme demarkacioni nuk do të jetë më si pikë e rendit të ditës.
Ai në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se është më së i bindur se nesër do të votohet marrëveshja e demarkacionit.
“Numrat janë. Dy të tretat e deputetëve do ta votojnë këtë marrëveshje. Arsyeja pse është thirrur seanca tregon se janë numrat. Ndryshe nuk do të thirrej”, ka shtuar Lekaj.
Ndryshe, një ditë para se marrëveshja e demarkacionit me Malin e të Zi të jetë në Kuvend, ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat apo jo, ku për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.
Kundër kësaj marrëveshje janë deklaruar Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka tri vite që nuk e merr bekimin e Kuvendit, ndërkaq ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ndër kriteret e liberalizimit të vizave. /Telegrafi/