Site icon Telegrafi

Lekaj: Kurti duhej të ishte informuar i pari me raportin amerikan për Ujmanin

Ndonëse tri ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington, shefi i ekzekutivit të vendit, Albin Kurti, deklaroi të premten për media se ende nuk e ka lexuar këtë raport.

Megjithatë, kryeministri i vendit pohoi se qëndrojnë prapa çdo deklarate për liqenin e Ujmanit dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të ketë një kapitull të ri.

E partitë opozitare po e shohin këtë veprim të Kurtit si injorim ndaj gjërave që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për Telegrafin se për Kurtin dialogu është prioriteti i tij numër një.

“Mendoj se fokusi i zotit Kurti është dialogu prioriteti i tij numër një, ndonëse ndryshe na kishte thënë në fushatë. Kryeministri duhet të jetë informuar në çdo kohë. Ai do të duhej të ishte informuar i pari ndoshta edhe para se ta kishte në tavolinë raportin e ShBA-ve për Ujmanin, por siç vërehet te zoti Kurti, ai ka një prirje t’i injorojë gjërat që vijnë nga Amerika”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do ta përkrahin iniciativën prezantuar nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili të premten ka deklaruar se opozita do ta thërrasë kryeministrin Kurti në interpelancë, Lekaj tha se AAK kishte kërkuar një raportim rreth dialogut.

“Ne si AAK kemi kërkuar që kryeministri i Kosovës të raportojë në Kuvend, por do e përkrahim edhe iniciativën e PDK-së”, tha Lekaj.

Lexo po ashtu Raporti i Liqenit të Ujmanit, Oda Ekonomike Amerikane: Qeveria të angazhohet seriozisht në zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zyrtarët e LDK-së lidhur me iniciativën nga deputeti i PDK-së, për thirrjen e kryeministrit në interpelancë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të premten se qëndron prapa çdo deklarate për liqenin e Ujmanit dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë do të ketë një kapitull të ri.

Kurti edhe gjatë pasdites ka bërë të ditur se nuk ka arritur që të lexojë raportin e fizibilitetit, të nxjerrë nga Departamenti Amerikan për Energji. Veçse këtë shtoi se duhet ta bëjnë fillimisht ekspertët.

Në raportin e Ambasadës së SHBA-së, propozohet formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Ujmani është liqen artificial që shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë.

Liqeni i Ujmanit ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 nga të cilat 9.2 km2 janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 km2 në territorin e Serbisë./Telegrafi/

Exit mobile version