Telegrafi

Lekaj ironizon me Enver Hoxhajn: Unë mund të kem ide se duhet të kemi edhe katër aeroporte në Kosovë (Video)

Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se punën më të madhe në ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi” e ka bërë kjo Qeveri.

Lekaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në  RTV Dukagjini, ka thënë se meritat më të mëdha për projektin e autostradës drejt Maqedonisë i kanë taksapaguesit e Kosovës.

“Unë i kam gjetur vetëm 10 kilometra të përfunduara me trase të hapura aty këtu, por 45.5 kilometra të tjerë dhe 70% të buxhetit që është dashur të kujdesem dhe të kryej obligimet i kam mbaruar unë”.

“Të gjithë i kemi meritat, nuk jam prej atyre që i marr vet, por dihet që ne jemi marrë me pjesën më të madhe dhe sfidat më të mëdha të projektit në momentin kur ka qenë në prag të dështimit. Falënderoj edhe ministrin Hamza që ka qenë konstruktiv dhe ka siguruar mjetet”.

Ministri i Infrastrukturës thotë se ka pasur shumë debate me kryeministrin Haradinaj sa i përket pagesës së 53 milionëshit për kompaninë ndërtuese.

“Qëndrueshmëria e tij dhe arsyeshëmria e tij [për të paguar dëmshpërblimin prej 53 milionë eurove], na ka sjell sot këtë projekt… Po të mos merrej vendimi nga Haradinaj për ta dërguar në Qeveri [pagesën], sot do të diskutonim se ‘sa do të fitoni në arbitrazh, me çfarë bindje e keni dërguar në arbitrazh, a keni lidhje me Bechtel&Enkën’. Pranoj mendimet ndryshe por sot duhet t’i gëzohemi projektit”.

I pyetur për një shënim ku Enver Hoxhaj kishte deklaruar se “Autostrada “Arbën Xhaferi” ishte një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007”, Lekaj thotë se ide mund të kenë të gjithë por me rëndësi është kush realizon.

Lexo po ashtu Lekaj tregon se si refuzoi të paguajë faturën prej 717 milionë euro për Autostradën “Arbën Xhaferi” (Video)

“Unë mund të kem ide se duhet të kemi edhe katër aeroporte në Kosovë, por varet kush i implementon projektet. Gjithë kemi përfituar. Femi Mujota ka nënshkruar kontratën, Zharku e ka vazhduar për 3 vite, ndërsa unë kam përfunduar 70% të gjatësisë së autostradës”, tha ndër të tjera Pal Lekaj./Telegrafi/