Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pretendon se kundërshtimi ndaj demarkacionit të kufirit me Malin e Zi i ka kaluar kufijtë e opozitës.
Në një intervistë për KALLXO.com, Lekaj pretendon se janë edhe 16 deputetë të partive të koalicionit qeveritar PDK-LDK të cilët nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje, nëse ajo dërgohet në Kuvend për ratifikim.
“Unë mendoj që zërat që tashmë e kanë kuptuar që Komisioni Qeveritar ka gabuar dhe ka punuar kundër interesave të vendit janë përafërsisht 16 deputetë të pozitës që nuk do ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi dhe është e mjaftueshme që të mos kalojë marrëveshja”, u shpreh Lekaj.
Megjithatë ai ftoi edhe deputetët tjerë të pozitës që të mos e votojnë këtë marrëveshje.
Lekaj foli edhe për zgjatjen e mandatit të EULEX-it duke thënë se ky mision nuk ka arritur t’i përmbushë detyrat e veta.
Pavarësisht kritikave, sipas Lekajt, EULEX duhet të vazhdojë të mbetet në Kosovë, ani pse AAK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën kur pritet të votohet për vazhdimi e mandatit.
“Aleanca mendon se për shkak të dështimit të Qeverisë në drejtësi, gjykatat që nuk e kanë luftuar sa duhet krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndoshta është më mirë që t’i vazhdohet mandati edhe pse EULEX-i ka qenë mjaft i zbehur në këtë drejtim, mirëpo më mirë një e keqe e vogël se sa një e keqe e madhe për vendin”, tha ai.
Lekaj ka folur edhe për koalicionin me Nismën duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme ata nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike.
“Nuk kemi vija të kuqe sa i përket koalicioneve të mundshme me asnjë parti politike, nuk po flasim për tash po për kohën pas zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi Lekaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur marrëveshje partneriteti me Nismën, kohë më parë, pas ndarjes së bllokut opozitar.