Shefi i ri grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, ka folur rreth gjendjes aktuale të opozitës si dhe postit të tij më të ri si shef i grupit parlamentar të AAK-së.
“Sa i përket çështjes së kthimit të AAK-së dhe deputetëve në parlament është çështje e kryes dhe një vendim i kryesisë dhe ne e zbatojmë me përpikmëri. Ajo që mund të them është procedurë që duhet të caktohet shefi i grupit parlamentar të AAK-së dhe në këtë drejtim partia dhe kryesia ma kanë dhënë besimin për këtë pozitë”, tha ai.
Lekaj tregon arsyet se pse është dashur që ai të zgjedhet në këtë post.
“Ne kemi aktivitete në terren dhe duhet koordinuar sa i përket deputetëve sepse janë të zgjedhurit e popullit dhe ne nuk do të ndalemi. Ne kemi bojkotuar seancat parlamentare, por nuk i kemi bojkotuar qytetarët dhe do të jemi shumë më aktivë me qytetarët në terren”.
Zëvendësimin e Kadaj-Bujupit, Lekaj e sheh si një respekt që i ka bërë asaj.
“Nuk kam menduar që do të vie ky rast që unë të zëvendësoj Kadaj-Bujupin, por është një vendim i saj të cilin e kemi respektuar dhe ne i dëshirojmë sukses. Unë mendoj që të gjitha pozicionet që kam qenë jam munduar t’i kryej me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe kjo nuk është ndonjë pozitë më e rëndësishme por është një obligim”.
“Opozita e bashkuar kemi qenë të bashkuar rreth dy kauzave, njëra për Zajednicën dhe tjetra për Demarkacionin dhe jemi të palëkundur në këtë qëndrim. Ne kemi menduar që do të ndodh një ndryshim pozitiv sa i përket opozitës së bashkuar”, tha ai.
Megjithatë Lekaj tregon se përkundër kësaj, AAK nuk do ta ndryshojë vizionin e vet.
“Ne nuk dëshirojmë që vizionin tonë ta shkrijmë në një subjekt që quhet VV apo NISMA apo çfarëdo subjekti tjetër. Unë çuditem kur Vetëvendosje kërkon që AAK të jetë pjesë e VV-së, e jo të jemi në partneritet të barabartë”.
Në këtë drejtim Lekaj tregon se kanë kundërshtime nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse dikujt i thua partner atëherë duhet të jeni të barabartë. Ne kemi dallime të mëdha me VV-në dhe në këtë drejtim nuk po i themi VV-së hajde në AAK, sikur që nuk do të vendosim të shkojmë në VV dhe t’i japim peng ato që ne mendojmë. Vetëvendosja nuk është e vendosur që të ndodh ndryshimi pozitiv në Kosovë me një opozitë të bashkuar, por po e shikojnë interesin më të ngushtë partiak”.
“Vetëvendosje ka menduar që AAK të jetë bisht i VV-së, por kjo gjë nuk do të ndodhë”.
Lekaj gjithashtu mohon lajmin për koalicion të mundshëm mes AAK-së dhe PDK-së.
“Nuk është e vërtetë, nuk ka bisedime me PDK-në dhe AAK-në nuk do ta josh pushteti në këto momente por do të kundërshtojë të këqijat në vend”, tha ai.