Leipzig ose Salzburg rrezikojnë të mos marrin pjesë në garat evropiane sezonin e ardhshëm, e shkaku është “Red Bull”.
Kompania austriake e pijeve energjike është sponsori kryesor i këtyre dy skuadrave, por sipas rregullores së UEFA-s diçka e tillë nuk është e lejueshme.
Kjo do të thotë se UEFA do të pranojë në ngjarjet sportive të saj më të rëndësishme vetëm njërën prej këtyre ekipeve.
Leipzig është befasia e këtij sezoni në kampionatin gjerman, pasi po rivalizon fort me gjigantët e Bayern Munchen.
Leipzig renditet në vendin e dytë me 5 pikë më pak sesa bavarezët, që do të thotë një kualifikim i drejtpërdrejtë për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, transmeton thc.
Përsa i përket Salzburgut, austriakët do të jenë pjesë e ngjarjes më të rëndësishme për klube në Evropë nëse do të jenë në gjendje që të mbrojnë titullin kampion.
Një prej zëdhënësve të UEFA-s deklaroi se, ky institucion do të bëjë verifikimet e duhura menjëherë në fund të sezonit, pasi të ketë marrë në dispozicion formularët e përpiluar nga Federatat e Futbollit të Gjermanisë e Austrisë.