Site icon Telegrafi

Legjislaturë e pafuqishme

Bojkot nga opozita, ndërprerje të seancave në mungesë të kuorumit, sharje e fyerje, këto janë skenarët që kanë karakterizuar Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2016-të. Ky legjislativ për një kohë të gjatë ishte shndërruar në arenë të tymit e gazit lotsjellës dhe tentativave për ndërprerje seancash.

E jo në pak raste, ligjet e rëndësishme kaluan me vështirësi. Ndërsa gjatë gjithë vitit, Demarkacioni me Malin e Zi ka qenë kryetema e kësaj legjislature, duke lënën nën hije ligje e debate që do të ndikonin e përmirësonin jetën e qytetarëve të këtij vendi.

Edhe deputetët të cilët janë pjesë e kësaj legjislature, nuk janë të kënaqur me punën e bërë. Shumë prej tyre thonë se Kuvendi i Kosovës as gjatë këtij viti nuk e kreu punën për të cilën është i thirrur.

Pal Lekaj, deputet i AAK-së, thotë se është i zhgënjyer me punën e Kuvendit, i cili asfare nuk ka luajtur rolin që e ka të përcaktuar sipas Kushtetutës.

“Sa i përket funksionimit të Kuvendit, mund të them që jam i zhgënjyer tërësisht me punën e Kuvendit, kur e them këtë, e bazoj në argument sepse ne kemi menduar që 2/3 kushtetuese që i ka ky koalicion, janë bërë për të mirën e vendit, për një funksionalitet me të mirë të Kuvendit, për miratim të ligjeve që e lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe që orientojnë një fushë të caktuar, të fushë veprimtarisë, që e përcakton ligji. Mirëpo nëse nisem ne një analizë të tillë mendoj që Kuvendi nuk ka notë pozitive. E them në atë sepse asnjë vendim që e kanë marrë, nuk është nuk ka shkuar në favor të qytetarëve, që ua ka lehtësuar jetën. Që ka ofruar një mirëqenie më të mirë për ta. Që ka bërë marrëveshje që më të vërtetë është dashur që ti gëzohemi të gjithë deputetët. Mirëpo mendoj që të gjitha ato që janë bërë në Kuvend, janë bërë kundër interesave të Kosovës…. Mund të them lirshë m që Kuvendi, koalicioni qeverisës i cili i ka pasur 2/3 nuk ka pasur funksionalitet. Sepse shpesh herë ka pasur mungesë të deputetëve, mos seriozitet të punës së tyre dhe kjo ka reflektuar negativisht në të gjitha proceset, që kanë pritur qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Deputetja tjetër nga opozita, Donika Kadaj- Bujupi e Vetëvendosje, thotë se opozita në Kuvend gjatë këtij viti ka bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme, për dallim nga pozita e cila asnjëherë nuk pati në agjendë interesat e shtetit.

“Opozita bëri punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mbrojtur sovranitetin, territorin dhe integritetin e vendit tonë. Sigurisht dhe në raste tjera, kur kishte çështje të rëndësisë së veçantë, të njëjtit nuk u dakorduan dhe nuk u harmonizuan. Sepse në agjendë të tyre, nuk ishte asnjëherë interesi i vendit, por interesat vetanake, partiake, të klaneve të ndryshme. Prandaj në vazhdimësi ka ardhur në shprehje, një mos koordinim dhe një mosbashkëpunim,  i cili dhe ka sjellë bllokada të vazhdueshme. Siç dihet tre partnerët e koalicionit LDK, PDK dhe Lista serbe, nuk funksionojnë as në këtë fazë. Sepse njëri nga ta në vazhdimësi shantazhon dhe kushtëzon tjetrin. Dhe si pasojë e kësaj gjendje, është gjendja në Kosovë dhe kriza veç sa thellohet. E vetmja rrugëdalje dhe rrugëzgjidhje, janë zgjedhjet të cilat nuk guxojnë të vonohen. Sepse gjendja  në vend është mjaftë e tensionuar dhe mjaftë e rënduar nga veprimet e papërgjegjshme të një klani,  i cili ka kapur në vazhdimësi shtetin dhe i cili tani në këtë fazë ka ngulfatur çdo pore të demokracisë në vend”, tha Kadaj-Bujupi.

Edhe Vjosa Osmani, deputete nga radhët e LDK-së, thotë se Kuvendi nuk e ka bërë punën siç është dashur dhe pikërisht për këtë ka marrë notë jo të mirë dhe nga Raporti i Progresit.

“Fatkeqësisht shumë pak. Për rrethanat të cilat i përmendet edhe ju. Siç e dini edhe raporti i sivjetmë i progresit, apo siç quhet raporti për vendin i BE-së për Kosovën e jep një notë dhe jo aq pozitive për punën e Kuvendit të Kosovës. Edhe për shkak të bllokadës së punës së këtij institucioni, por edhe për shkak se përveç  funksionit legjislativ, që ka Kuvendi i Kosovës, të miratimit të ligjeve, nuk ka arritur akoma të shkoj përtej këtij funksioni dhe ta kryej si duhet edhe funksionin mbikëqyrës mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pra, duhet akoma edhe shumë punë në mënyrë që edhe komisionet parlamentare,  grupet parlamentare, por edhe deputetët  individual, të jemi shumë më aktiv, në mënyrë që të mbikëqyret puna e Qeverisë së Kosovës. Sepse funksioni ynë nuk përfundon në ditën e miratimit të ligjeve, por patjetër kërkon që të shikojmë dhe sa po zbatohen ato ligje në praktikë, nga ana e ekzekutivit, që është një fushë në të cilën kërkohet akoma avansim nga ana e Kuvendit”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, tha se Kuvendi gjatë këtij viti nuk e ka përmbushur plotësisht misionin që ka.

“Mendoj që Kuvendi përkundër këtyre problemeve që janë shkaktuar dhe janë krijuar, me fajin e të gjitha palëve, sepse s’mund të fajësojmë vetëm palën opozitare, në këtë rast dhe pozita ka pasur gabime, të cilat i ka shfrytëzuar opozita dhe ka arritur miratimin e shumë ligjeve, por jemi mbrapa në miratimin e shumë ligjeve, të cilat janë të domosdoshme dhe për ecurinë e institucioneve dhe funksionin e institucioneve….Se ka përmbushur. Mund të themi se ka përmbushur plotësisht”, tha Muja.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovës, thotë se kjo legjislaturë është treguar e dështuar dhe si e tillë ka bllokuar mbarëvajtjen e punëve të legjislativit, ndërkohë që në përballje kishte një opozitë tejet të fuqishme.

“Sa ka qenë puna e deputetëve efikase, unë besoj që Republika e Kosovës në këtë legjislaturë ka pasur një opozitë shumë të fuqishme, e cila ka qenë pjesë aktive e gjithë punës në Kuvend, duke i parandaluar dhe marrëveshjet të cilat do të humbnin territor dhe do të krijonin një shtet paralel në vendin tonë. …Të dalim nga pjesa e pozitës, duke e ditur që janë një koalicion më i madh të cilin e ka pasur vendi që nga paslufta, mund të konsiderohet që është koalicioni më i dështuar. Megjithatë, numrat me u marrë që dy vite e gjysmë, vetëm me disa çështje të caktuara dhe mos me u marrë me asnjë dikaster, i cili e atakon direkt jetën e qytetarëve, të flet për një koalicion i cili realisht në numër është i madh, por i cili në përmbajtje dhe në cilësinë  e deputetëve ose ligjvënësve ose të qeverisë është shumë i dobët, dhe e kemi një situatë deri këtu, ku ke mbi 80 numra dhe mbesin seanca peng, duke mos pasur kuorum, duke mos pasur kuorum në komisione, duke mos pasur kuorum edhe në mbledhje të kryesisë. Prandaj, vazhdimisht kërkesa jonë ka qenë që është e udhës, që vendit t’i hapet dera që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi që nuk po munden të funksionojnë”, tha Bajrami.

Ndryshe, jo vetëm tymi e gazi kanë ndikuar që Kuvendi i Kosovës t’i ndërpres punimet disa herë në këtë vit. Ato shpeshherë nuk u mbajtën ngase numri i deputeteve të pranishëm në seancë ishte tejet i vogël dhe kjo pamundësoi disa herë votimin e ligjeve të cilët ishin në rend dite. Me gjithë këto sfida, deputetët vlerësojnë se ky Kuvend nuk arriti që gjatë këtij viti t’i përmbushur as 30 për qind të objektivave që kishte. /KP/

 

Exit mobile version