Telegrafi

Legjendat e Realit fitojnë ‘el Clasicon’ ndaj legjendave të Barcelonës

(Foto: Screenshot/Twitter/FFS)

Derbi më i madh botëror, ‘el Clasico’, ka ardhur në versionin e veteranëve dhe ka sjellë spektakël nga disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit përgjatë historisë.

Los Blancos u prezantuan me ikona të tilla, si Roberto Carlos,  Luis Figo e Alfonso Perez, derisa te Blaugranët luajtën Rivaldo, Javier Saviola, Deco e Ronaldinho.

Reali e fitoi me rezultat 3-2 këtë sfidë duke bërë një rikthim, pasi katalunasit kishin krijuar të parët epërsi.

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Ronaldinho dëshmoi se akoma nuk i ka humbur cilësitë, ndërsa ishte pikërisht braziliani që e zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë.

Reali e barazoi rezultatin me golin e Pedro Munitis, i cili më pas asistoi te Alfonso Perez dhe ky i fundit i kaloi mbretërit në epërsi.

Jofre Mateu realizoi nga një kënd shumë i vështirë për t’i barazuar sërish shifrat e dy rivalëve të përbetuar.

Reagimi i Realit ishte i menjëhershëm dhe Ruben de la Red shënoi golin më të bukur të mbrëmjes për fitoren e Los Blancos. /Telegrafi/