Site icon Telegrafi

Legjenda e NBA, Tim Duncan duket i panjohur me një imazh të ri pas përfundimit të karrierës së tij

Basketbollisti legjendar, 48-vjeçari Tim Duncan u shfaq në një nga seancat stërvitore të San Antonio Spurs dhe tërhoqi vëmendjen me pamjen e tij të pazakontë, pothuajse të panjohur.

Një prej basketbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave i rriti flokët ndryshe nga çdo herë tjetër gjatë karrierës së tij si lojtar, dhe tani po shijon një jetë të qetë pas lamtumirës në vitin 2016.

Tifozët e Spurs u kënaqën kur panë 48-vjeçarin legjendar në stërvitje, por shumica u mahnitën nga pamja e tij.

Duncan u pa me gërsheta të gjata dhe mjekër në një foto të shpërndarë nga Mattheë Tynan në rrjetin social Twitter.

 

Duncan kaloi 19 sezone me San Antonio dhe fitoi pesë kampionate të NBA me ta (1999, 2003, 2005, 2007 dhe 2014).

Duke luajtur për Spurs, Duncan arriti një performancë prej 1,072 fitoresh dhe 438 humbjesh në pjesët e rregullta të sezoneve, që është një përqindje fitoresh prej 71%.

Ai mbërriti te Spurs si zgjedhja e parë në draftin e NBA në vitin 1997 dhe e ndihmoi skuadrën të arrinte në ‘play-off’ çdo sezon. Ai është i vetmi basketbollist në historinë e NBA që ka fituar tituj në tre dekada të ndryshme.

 

Duncan ishte 15 herë në ekipin All-Star dhe në karrierën e tij në NBA luajti 1,392 ndeshje në të cilat ai shënoi mesatarisht 19 pikë, 10.8 kërcime, tre asistime, 2.17 bllokada dhe luajti mesatarisht 34 minuta për lojë.

Përqindja e qëllimeve të tij në fushë ishte 50.6% (10,285-20,334), dhe përqindja e tij e gjuajtjeve të lira ishte 69% (5,896-8,468).

Në total, ai shënoi 26,496 pikë, grumbulloi 15,091 kërcime, bëri 3,020 bllokada dhe luajti 47,368 minuta. /Telegrafi/

 

Exit mobile version