Telegrafi

Legjenda e Juventusit, Bonucci: U luta të qëndroja, më përjashtuan pas 500 ndeshjesh – Allegri po gënjen

Leonardo Bonucci, pas gjithsej dhjetë vitesh në dy sezone dhe 502 ndeshje për Juventusin, me të cilin fitoi nëntë tituj të Serie A dhe katër Kupa të Italisë, u desh të largohej nga klubi në të cilit është legjendë.

Mbrojtësi italian u përjashtua edhe pse donte të qëndronte dhe ishte gati të degradohej në statusin e rezervës së fundit vetëm për të përfunduar karrierën në klubin e tij të preferuar.

Lojtari i ri i Union Berlinit ka folur për pakënaqësinë e tij ndaj njerëzve kyç të klubit në një intervistë për Mediaset, e cila u bë temë e nxehtë në Itali.

Lexo po ashtu Bonucci i vendosur për të nisur veprime ligjore kundër Juventusit

“Po lexoj dhe dëgjoj gënjeshtrat e pabesueshme që po përhapen për mua nga Juventusi, i drejtuar nga trajneri Allegri”, ka thënë fillimisht Bonucci për Mediaset.

 

“Nuk është e vërtetë që më thanë tetorin e kaluar dhe shkurtin e këtij viti se klubi donte që unë të largohesha në fund të vitit”.

“Këtë më thanë vetëm më 13 korrik, kur drejtorët Giuntoli dhe Manna erdhën në shtëpinë time dhe më njoftuan se nuk isha më anëtar i ekipit”.

 

“Ata më shpjeguan se prania ime në ekip dëmton rritjen e tij. Unë u poshtërova në mënyrë të paimagjinueshme nga klubi për të cilin luajta më shumë se 500 ndeshje”.

“Dhe kjo është ajo që ata më bënë dy muaj pasi i thashë drejtuesve të klubit se isha gati të qëndroja si zgjedhja e pestë ose e gjashtë në qendër të mbrojtjes për të ndihmuar lojtarët e rinj”, përfundoi italiani. /Telegrafi/