Ish-kapiteni dhe legjenda e Arsenalit, Martin Keown ka deklaruar se ardhja e Jose Mourinhos në Ligën Premier ishte “fillimi i fundit” për trajnerin Arsene Wenger.
Në vitin 2004, trajneri portugez arriti në brigjet britanike tek skuadra e Chelseat si një fitues i Kupës UEFA dhe Ligës së Kampionëve me Porton.
Ai u nis menjëherë për të investuar miliona në Stamford Bridge nën komandën e Roman Abramovich dhe ishte në gjendje të ndërtonte një skuadër që mundi Manchester Unitedin dhe Arsenalin në luftë për titullin e Ligës Premier.
Që nga ardhja e Mourinhos, Topçinjtë nuk kanë arritur asnjëherë ta fitojnë Ligën Premier dhe ish-legjenda e Arsenalit, Keown, ka deklaruar se ardhja e portugezit ishte fillimi i fundit për ish-trajnerin e tij, Wenger.
“Jose Mourinho u bë kundërshtari i ardhshëm i madh i Arsene Wengerit dhe Wenger pati rezultate negative me të në duele kokë më kokë”, ka thënë fillimisht Keown për Daily Mail.
“Mourinho erdhi dhe fitoi dy Liga Premier në vitin 2005 dhe 2006 dhe kjo përfundimisht solli fillimin e fundit të supremacisë së Wengerit në futbollin anglez”.
“Koha e tij ishte e përsosur. Ai arriti në Chelsea me shumë burime në dispozicion të tij dhe ndërtoi një ekip të shkëlqyer”.
“Arsenali përfundoi i dyti në vitin 2005 dhe pa ngritjen e Chelseat, Wenger ndoshta do të kishte fituar një tjetër titull të Ligës Premier”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/