Ish-futbollisti i Arsenalit, Kenny Sansom, është duke luftuar për jetën pasi është rrahur gjatë një përleshjeje në gjendje të dehur.
61-vjeçari, i cili ka pasur probleme me alkoolin me vite të tëra, gjatë zënkës është rrëzuar dhe e ka lënduar seriozisht kokën.
Mail Online raporton se ish-lojtari i Anglisë nuk ka mundur që të komunikojë me policinë gjatë trajtimit që po i bëhet në ‘Royal Devon and Exeter Hospital’, ndërsa anëtarët e familjes së ngushtë po i qëndrojnë pranë.
“Kenny aktualisht ndodhet në spital, i sëmurë. Po kujdesen mirë për të dhe nuk ka COVID-19. Familja dhe miqtë e afërt të Kennyt kërkojnë me mirësi nga mediat që ta respektojnë privatësinë e tij dhe të tyre, si edhe të punëtorëve shëndetësore që kujdesen për të”, thuhet në një postim në profilin e tij në Twitter.
Qëkur u pensionua nga futbolli në vitet e nëntëdhjeta, ai ka pasur probleme të shpeshta që lidheshin me alkoolin. Pas shkurorëzimit, një kohë kishte mbetur i pastrehë, ndërsa ka vuajtur nga depresioni dhe mendimet vetëvrasëse.
Vartësia nga alkooli ia ka kontrolluar jetën, saqë vazhdimisht kishte marrë para borxh te shokët, ndërsa ishte fotografuar duke fjetur në park. Pas kësaj, ish-klubet dhe ish-bashkëlojtarët i dolën në mbështetje duke ia paguar rehabilitimin dhe duke i ndihmuar për nevojat jetësore. /Telegrafi/