Leeds United dhe Arsenal kanë luajtur baras 0-0 në kuadër të xhiros së nëntë në elitën e futbollit anglez, Ligën Premier.
Ishte një ndeshje e bukur nga dyja skuadrat, por që portat mbetën të paprekura.
Gjithsesi momenti kyç në këtë takim ishte ai i minutës së 51-të, kur Nicolas Pepe i Arsenalit e goditi me kokë shqiptarin Ezgjan Alioski dhe gjyqtari kryesor e përjashtoi afrikanin me karton të kuq.
Futbollisti shqiptar, Ezgjan Alioski u akuzua nga lojtarët e Arsenalit për simulim në rastin e goditjes nga Pepe.
E në fund të ndeshjes, Alioski ishte duke u përshëndetur me Xhakën, ndërsa mbrojtësi i Arsenalit, Kieran Tierney shkoi për të qëruar hesapet me reprezentuesin të Maqedonisë së Veriut.
Në atë moment në krah të Alioskit doli Granit Xhaka i cili e mbrojti bashkëkombësin e tij, duke shtyrë me duart bashkëlojtarin Tierney për ta larguar që mos të përleshen.
Por gjesti i Xhakës nuk i ka pëlqyer legjendës së Arsenalit, Martin Keown, i cili ka sulmuar prishtinasin pas ndeshjes, duke thënë se e bëri vëlla armikun e tij.
“Tierney tregoi shpirtin e garës, nuk qëndroi vetëm aty në mbrojtje për të mbajtur portën e paprekur. Ai mund të jetë ndjerë i ofenduar nga Xhaka, i cili pas gjithë asaj që ndodhi i hodhi krahun në qafë Alioskit”.
“Edhe unë do të ndjehesha ashtu, nëse do të shihja një nga shokët e mi të bëhej vëlla i armikut. Xhaka më pas edhe e shtyu Tierneyn, duke mbështetur Alioskin”, deklaroi ish-kapiteni i Arsenalit.
Xhaka dhe Alioski janë miq të mirë që nga koha kur të dy luanin në kampionatin zviceran dhe ata i lidh gjaku.
Sigurisht që për këtë Keown nuk ka qenë i njoftuar që dha këto deklarata, pasi dy shqiptarët kanë raporte shumë të mira mes vete dhe është mëse normale që t’i dalin në mbrojtje njëri tjetrit. /Telegrafi/