Telegrafi

Leganes ankohet te federata spanjolle: Na lanë pa lojtar, vendimi i tyre pro Barcelonës na ka dëmtuar

Shefi ekzekutiv i Leganesit, Martin Ortega e ka kritikuar ashpër vendimin e Federatës së Futbollit të Spanjës që ia lejoi Barcelonës transferimin e një lojtari jashtë afatit kalimtar, pasi katalunasit nënshkruan me lojtarin e tyre Martin Braithwaite.

Barcelona sot transferoi sulmuesin Martin Braithwaite nga Leganesi për 18 milionë euro, duke e thyer klauzolën e tij të lirimit.

“Ne besojmë se ky vendim nuk është i drejtë dhe Barcelona ka përfituar nga ky vendim, ndërsa Leganesi është dëmtuar”.

“Ne duam të ngremë zërin tonë, pasi jemi në një situatë shumë serioze dhe kemi pësuar shumë dëme. Nuk mund të kuptojmë këtë vendim që të lejohet një klub që ka një lojtar të lënduar, të transferojë një sulmues dhe të bartë problemin te një klub tjetër”, ka thënë Ortega.

Tutje Ortega ka thënë që Barcelona ka vepruar në mënyrë korrekte duke shtuar që klubi i ka informuar të hënën.

 

Leganesit në anën tjetër i ishte refuzuar kërkesa nga Federata e Futbollit të Spanjës për të transferuar një sulmues për të mbuluar largimin e Braithwaitet. /Telegrafi/