Milani dhe Interi do të përballen mes vete të dielën në Derby della Madonina.
Dy skuadrat janë duke kaluar nëpër një formë fantastike këtë edicion dhe janë ndër ekipet favorite për titullin e kampionit.
Në 11 ndeshjet e para, Milani ka 10 fitore e një barazim, derisa Interi ka shtatë fitore, tri barazime e një humbje.
Sulmuesi portugez, Rafael Leao ka folur para kësaj sfide duke e krahasuar derbin e Milanos me atë të Lisbonës në të cilin ka luajtur.
“Derbi i Milanos është i ngjashëm me atë të Lisbonës që kam përjetuar. Në fushë është një betejë dhe fitorja është gjëja më e rëndësishme”, tha Leao.
Tutje sulmuesi i talentuar ka thënë se dëshiron të fitojë para tifozëve të tyre ndaj Interit.
“Mbaj mend mirë atmosferën e mrekullueshme në derbin tim të parë, edhe pse e humbëm. Më pas atë që fituam vitin e kaluar me asistimin tim tek Ibra. Këtë vit ne duam të fitojmë para tifozëve”, deklaroi Leao.
Milan dhe Inter takohen të dielën në San Siro me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/