Telegrafi

Leao e pranon: Maroku kishte diçka më shumë se ne, donim Kupën e Botës

Portugalia nuk ka arritur më shumë se deri në çerekfinale në Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’, ku u eliminuan nga Maroku me rezultat 1-0.

Pritjet ishin të mëdha për portugezët, pasi ata konsideroheshin si një nga Përfaqësueset favorite për ta fituar Kupën e Botës.

Por pritje të tilla kishte edhe brenda kampit portugez ku është sulmuesi i Milanit, Rafael Leao që ka pranuar një gjë të tillë.

“Me grupin e punës që kishim, ambicia ishte të shkonim sa më larg deri sa ta fitonim Kampionatin Botëror”, tha fillimisht Leao.

“Ne kemi treguar vlerën tonë si skuadër dhe pavarësisht ndjenjës së trishtimit e kemi shijuar në maksimum këtë Kupë të Botës”.

Sulmuesi i Milanit e ka pranuar se Përfaqësuesja e Marokut kishte diçka më shumë se portugezët, derisa është i bindur se do ta kalojnë këtë periudhë të vështirë.

“Jemi përballur me një kundërshtar që kishte diçka më shumë se ne”.

“Portugalia dhe ne futbollistët do ta kapërcejmë këtë kapitull së bashku dhe me siguri e ardhmja do të jetë argëtuese. Falënderoj portugezët për mbështetjen e tyre në çdo ndeshje”, u shpreh Rafael Leao. /Telegrafi/