E plotësuar: Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, nuk mori votat e mjaftueshme për të hyrë në garë për kryetar të këtij subjekti, pasi duhen 50%+1 të votave të delegatëve të pranishëm.
Menjëherë, pasi iu është refuzuar kandidatura, Sejdiu lëshoi punimet e kuvendit dhe për mediat deklaroi se delegatët janë kërcënuar dhe nuk kanë arritur të shprehen lirshëm dhe sipas tij, kjo është shenjë e keqe për demokracinë.
“Ata njerëz nuk mund të shprehen lirshëm. Nuk kanë miratuar kandidaturën time, e kanë miratuar një tjetër. Në këtë mënyrë të punës, me këtë qasje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve, e kemi një shenjë të keqe për demokracinë ne Kosovë. LDK ka qenë dhe mbetët shtëpia ime”, tha ai.
E plotësuar: Delegatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, është shprehur e zhgënjyer pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku Isa Mustafa u rizgjedh kryetar i partisë.
Në një prononcim para gazetarëve, e ka quajtur Isa Mustafën ministër të Rrahman Morinës.
E plotësuar: Me votim të hapur nga delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor të LDK-së, është votuar Isa Mustafa për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve.
Procesi i Kuvendit Zgjedhor u mbajt me dyer të mbyllura për publikun.
E plotësuar: Isa Mustafa kandidati i vetëm për të parin e LDK-së
Në Komisionin për Kandidatura janë dhënë dy emra kandidatët për të parin e kësaj partie, Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu.
Nga votimi për dy kandidatët e dala nga ky Komision i cili udhëhiqet nga nënkryetari i dytë i LDK-së, Lutfi Haziri, nga delegatët u votua për Isa Mustafën, ndërsa Fatmir Sejdiu nuk arriti ka kaloi pragun e kandidimit.
Ndërsa, Fatmir Sejdiu gjatë fjalës së tij në këtë Kuvend tha se uron që votimi të ishte autonom i pandikuar.
“Uroj që LDK-ja t’i kalojë me sukses proceset nëpër të cilat po kalon”
Pas mbajtjes së fjalës së tij në Kuvendin e IX Zgjedhor të LDK-së, Fatmir Sejdiu ka braktisur sallën e mbledhjes.
E plotësuar: Është miratuar rregullorja e punës në Kuvendin e IX Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Nga kjo rregullore me kërkesë të delegatit Qemal Ahmeti dhe Fatmir Sejdiu është kërkuar që të ndryshohet neni 13 i rregullores se Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku përcaktohet rregulla e kandidimit, 50% +1, e cila nuk është përfillur fare.
Kuvendi vazhdon punimet….
E plotësuar: Isa Mustafa hap Kuvendin Zgjedhor
Kryetari i tanishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa sapo ka arritur në mbledhjen e Kuvendit të IX Zgjedhor, e cila sapo filloi nën intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe këngës “Kur ka Kushtrimi në Kosovë”.
Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, thuhet se pritshmëritë për të zgjedhur të parim e kësaj partie do ta rimarr sërish kryetari aktual, Isa Mustafa.
Mustafa bëri hapjen e këtij kuvendi, duke uruar për një zgjedhje demokratike në këtë ditë të zgjedhjeve të Kuvendit të IX të LDK-së.
E plotësuar: Pikat e rendit të ditës
Kuvendi zgjedhor i LDK-së, pritet të fillojë pas pak, ku pika e parë e rendit të ditës është zgjedhja e trupave punues dhe aprovimi i Rregullores së Punës së Kuvendit.
Pikë e dytë pritet të jetë zgjedhja e Komisionit Statutar.
Pikë e tretë e rendit të ditës në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do të jetë zgjedhja e Kryetarit të partisë.
Dhe pika e katërt, zgjedhja e Këshillit të Përgjithshëm.
E plotësuar: Mblidhen delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor të LDK-së
Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), janë duke u mbledhur në sallën ku pritet të mbahet mbledhja e Kuvendit të IX Zgjedhor, për të zgjedhur të parin e kësaj partie.
Mirëpo, sipas pritshmërive se cili do ta marrë “timonin” e kësaj partie, thuhet që edhe njëherë do t’i prij kryetari aktual, Isa Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot mban Kuvendin e IX-të zgjedhor, ku do ta zgjedhë kryetarin e ri.
Në dy mbledhjet e mbajtura gjatë dy ditëve të kaluara, kryesia e LDK-së nuk ka arritur marrëveshje për një kryetar konsensual.
Megjithatë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë të premten mbrëma se është arritur marrëveshja për një kandidat konsensual për kryetar të LDK-së.
“Është e vërtet se është arritur marrëveshja për një kandidatë konsensual për kryetar i cili formalisht do të shpallet nesër në ora 10:00 në Kuvendin e LDK-së”, tha ai në RTVD.
Ndërkaq duhet theksuar se edhe ky Kuvend Zgjedhor do të jetë me dyer të mbyllura për mediat.
E tek pas punimeve të Kuvendit pritet një konferencë para gazetarëve.
Në Kuvendin e sotëm të LDK-së, parti kjo që deri tani është udhëhequr nga Isa Mustafa, pritet të marrin pjesë 355 delegatë nga 38 degë./Telegrafi/