Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj deklaratave patetike, të radhës, të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se Republika e Kosovës, me përkushtimin e qytetarëve dhe të institucioneve të saj dhe në partneritet e koordinim të plotë me SHBA-të dhe vendet e BE-së, po fuqizon në vazhdimësi shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar si dhe sovranitetin e shtetit.
Flamuri dhe himni i Republikës së Kosovës, i ofenduar nga disa drejtues të VV-së, po nderohen edhe ne vendet që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj properëndimore, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kërkon që njëherë e përgjithmonë të heqin dorë nga trajtimi i Beogradit si burimi kryesor i informacionit, i politikbërjes dhe orientimit politik karshi Kosovës dhe që të mos shndërrohen në subjekt politik i cili merret ekskluzivisht dhe i jep publicitet në Kosovë atyre çka thotë e bën Serbia.
Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, i përkushtuar për fqinjësi të mirë, por që fatin e saj nuk e lidh me asnjë shtet fqinj, e aq më pak me Serbinë, e cila një ditë të afërt, do të detyrohet të pranojë realitetin, të kërkojë falje dhe të shlyejë borxhet e panumërta morale, politike e materiale që ka ndaj qytetarëve të Kosovës.
Është thënë e vërtetuar me kohë, se për Kosovën “dielli lind në perëndim”, e jo në Serbi dhe askund tjetër”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Telegrafi/