Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me gjësendet që u gjetën nga policia gjatë ditës së djeshme në një depo e cila është shfrytëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“LDK me shqetësim është informuar për arsenalin e jashtëzakonshëm të mjeteve ndezëse, molotovëve, armëve artizanale dhe materieve tjera të rrezikshme për jetën e qytetarëve, të sekuestruara nga Lëvizja Vetëvendosje. LDK konsideron se zbulimi i këtyre mjeteve në ambientet në shfrytëzim të VV-së, në prag të protestës së djeshme, është dëshmi e skenarëve kriminalë, potencialit destruktiv dhe synimeve të këtij subjekti për zhytjen e Kosovës në gjakderdhje, kaos, krim dhe anarki”, thuhet në komunikatë.
Më tej përmes kësaj komunikate LDK ka theksuar se duke pas parasysh diskursin antishtetëror dhe kriminal të drejtuesve të kësaj partie, të shfaqur edhe sot nga një prej eksponentëve të saj i cili është pjesë e kriminalizimit të Komunës së Prishtinës, LDK thekson se ky subjekt tashmë e ka tejkaluar çdo cak të sjelljes demokratike dhe përbën një rrezik evident për jetën e qytetarëve, për shtetin e Kosovës dhe proceset demokratike.
“Duke shprehur besimin e plotë në profesionalizmin e organeve për zbatimin e rendit dhe ligjit, LDK i bën thirrje qytetarëve të vendit që, ashtu si në protestën e dështuar të zhvilluar dje, të mos i bashkëngjiten asnjë aktiviteti të këtij subjekti kriminal, të mos bien pre e indoktrinimit neokomunist dhe manipulimeve antishtetërore të këtij subjekti, i cili tashmë është simbol i të keqes në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së./Telegrafi/