Site icon Telegrafi

LDK thotë se Arifit i bëjnë përshtypje vetëm pagat e larta

 

Pas deklaratave të Avni Arifit se kjo qeveri është më e dobëta që nga pas lufta, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se ndoshta me të drejtë, Avni Arifit nuk ia mbushin mendjen  rezultatet pasi që atë e bindin rrogat e majme që dikur i merrte si “koordinator i asgjëhit”.

Lexoni të plotë reagimin e LDK-së:

Siç duket ai e ka fjalën për faktin se gjatë kësaj Qeverie, ndër të tjera, janë arritur këto rezultate “modeste”:

  1. Është bërë nënshkrimi, ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet MSA-ja
  2. Është marrë rekomandimi për liberalizim vizash (i bllokuar me arsye të rrejshme dhe për përfitime elektorale nga AAK)
  3. Është arritur rritja më e madhe ekonomik në rajon dhe në Evropë (Sipas Bankës Botërore)
  4. Pensionet janë rritur deri 70% dhe asistenca sociale për 25 %
  5. Janë ndërmarrë reformat më të mëdha fiskale në rajon dhe më gjerë (Vlerësimet e BB dhe FMN)
  6. Është arritur avancimi më i madh në rajon në të bërit biznes (Sipas BB)
  7. Subvencionimi më i madh historik për bujqësi
  8. Buxheti mbi 2 miliardë Euro
  9. Kosovës iu kanë hapur dyert në të gjitha shtetet e botës dhe organizatat ndërkombëtare
  10. Është bërë anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA… e dhjetëra suksese të tjera evidente…

Mirëpo, ndoshta me të drejtë, Avni Arifit nuk ia mbushin mendjen këto rezultate “të vogla”, pasi që atë e bindin rrogat e majme që dikur i merrte si “koordinator i asgjëhit” si dhe ndonjë e hyrë e paparashikuar nga ndonjë kazino apo “donacion i qejfit a i zorit”.

Kjo Qeveri “ka dështuar”, pasi që përfundimisht i ka dhënë fund parazitizmit të disa sharësve profesionistë, të cilët e humbën toruan pasi që nuk arritën të bëhen “shefa” edhe pse nuk kishin marrë as votat e anëtarëve të familjes së tyre.

Andaj, për Avni Arifët dhe mjelësit e keqpërdoruesit ekstremë të dikurshëm të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, kjo Qeveri ka dështuar.

Mirëpo, kjo Qeveri është më e suksesshmja në historinë e re të Kosovës, përkundër rrethanave tejet të vështira, për qytetarët e Kosovës, për institucionet kredibile evropiane dhe botërore dhe për partnerët strategjikë ndërkombëtar ( të cilët nuk ka mundësi t’i takojë Avni Arifi dhe shokët e tij)”. /Telegrafi/

Exit mobile version