Në 13 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka organizuar akademi përkujtimore.
Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia që ai drejton do të vazhdojë me rrugën integruese të Kosovës, të formuluar nga presidenti i ndjerë.
Sipas tij, LDK-ja mbetët besnike e fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë së përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet perëndimore.
“Lidhja Demokratike e Kosovës sot po punon me përkushtim të veçantë për t’i realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionet dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar presidenti historik, doktor Ibrahim Rugova. Lidhja Demokratike mbetet besnike e fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet perëndimore. Ajo do të angazhohet me vendosmëri që të ndjek rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike që është alternativa e vetme perspektive për qytetaret tanë e formuluar si e tillë nga vet presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK-së, gjithashtu theksoi se partia e tij është e vendosur që të ruaj shtetësinë e Kosovës në kufijtë që ka shpallur pavarësinë.
“Por mbetemi po ashtu të vendosur të ruajmë shtetësinë tonë, ta ruajmë Kosovën në kufijtë që e ka shpallur pavarësinë. Të ruajmë identitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Mirëpo ashtu siç preferonte Rugova, edhe për kundër dallimeve të natyrshme, ardhmërinë mund të pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë”, tha ai.
I pari i LDK-së foli dhe për rolin dhe ndikimin e ish-presidentit Rugova.
Ai tha se presidenti Rugova ka qenë një njeri i urtë që lindi dhe mbeti si njëri i vendit.
Sipas tij, presidenti Rugova ishte prijësi i qytetarëve që lidhet me një epokë, siç thotë ai, epokën e pavarësisë.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti ka folur rreth krijimtarisë letrare të Ish-presidentit Rugova.
Në 13 vjetorin e vdekjes së Ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë ditës së sotme po thuajse gjithë elita politike e Kosovës kanë bërë homazhe tek varri i tij.