Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e sotëm e ka lënë të hapur mundësinë që kjo parti të shkojë në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se në takimin e sotëm është biseduar lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhore.
Ai tha e në takimin e sotëm të kryesisë së re janë pajtuar në disa çështje.
“E para rikonfirmuam kryesinë e re, që do t’i propozohet Këshillit të Përgjithshëm. Në mbledhje u konfirmua qëndrimi i LDK-së se nuk do shkojë në koalicion me PDK-në. Ndërsa, është lënë e hapur mundësia që të shkohet në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, por për këtë gjë do të vendos Këshilli i Përgjithshëm”, tha Mustafa, përcjell Telegrafi.
Mustafa gjithashtu ka thënë se në këtë mbledhje është biseduar edhe lidhur me emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër, por kryesia nuk ka dalë me ndonjë propozim konkret.
Ai tha se të hënën sërish do të mblidhet kryesia dhe do të dalin me propozime konkrete për mandatarin e këtij subjekti politik dhe lidhur me koalicionin e mundshmë me VV-në, e për të cilat do të vendos Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.
Mustafa nuk ka dashur të komentojë mos pjesëmarrjen në mbledhjen e kryesisë së dy nënkryetarëve të deritashëm, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit.
Ndërkohë ne mbledhjen e sotme, Arban Abrashi është emëruar Sekretar Organizativ i LDK-së./Telegrafi/