Site icon Telegrafi

Këto janë detyrat dhe përgjegjësit e kryetarit të ri të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm ku do të zgjidhet kryetari dhe organet tjera të partisë, kjo pasi nga zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit kjo parti u rendit e treta me radhë me 15 mandate të fituara në Parlamentin e Kosovës, e përbërë prej 120 deputetëve,  i cili rezultat jo i mirë për LDK-në, bëri që kryetari i saj Isa Mustafa të jap dorëheqje nga pozita e tij.

Ndërkaq, deri më tani për kryetar të LDK-së kanë shpall kandidimin, nënkryetari i saj i deritashëm Lutfi Haziri, anëtari i kryesisë Lumir Abdixhiku, Anton Quni- ministër në detyrë i FSK-së dhe Besian Mustafa – ministër në detyrë i Bujqësisë, si dhe zëdhënës i kësaj partie.

Ende nuk dihet se a do të ketë kandidatë të tjerë për garën e sotme, por anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës.

Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar, transmeton Telegrafi.

Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.

Kryetari i ardhshëm i LDK-së i cili pritet të zgjidhet të dielën, do të ketë detyra dhe përgjegjësi për të cilat obligohet ti kryej gjatë mandatit të tij në udhëheqjen e kësaj partie.

Lexo po ashtu LDK sot zgjedh kryetarin, kush janë katër kandidatët që po synojnë këtë post

Sipas statusit të LDK-së, këto janë detyrat dhe përgjegjësit e kryetarit të saj:

– Kryetari përfaqëson LDK-në në përputhje me Statutin dhe Programin e LDK-së, në vend dhe jashtë vendit;

– Udhëheq punën e LDK-së dhe të organeve të saj;

– Thërret dhe udhëheq mbledhjet e Kuvendit të LDK-së, të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së LDK-së;

– Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit;

– Merr vendime dhe qëndrime politike në pajtim me Programin dhe Statutin e LDK-së;

– Emëron zëdhënësin e LDK-së;

– Emëron udhëheqësit në administratën e LDK-së;

– Jep iniciativa për zgjedhje kuadrosh;

– Organizon takime të rregullta dhe të jashtëzakonshme me kryetarët e degëve;

– Mund të thërrasë mbledhjen e secilit organ apo trup të LDK-së.

Ndërsa, për punën e tij, kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari.

Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.

Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit.

Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh.

Ndryshe, kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ishte Ibrahim Rugova i zgjedhur në tetor të vitit 1989 kur edhe u themelua kjo parti. Më pas në dhjetor të vitit 2006 kryetari i kësaj parti u zgjodh Fatmir Sejdiu, pasuar nga Isa Mustafa i cili e mori mandatin e të parit të LDK-së në muajin nëntor të vitit 2010. /Telegrafi/

Exit mobile version