Në Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është marrë vendim që të shtohet numri i nënkryetarëve të partisë nga tre, sa ishin deri tash, në tetë.
Në pozitën e nënkryetarëve të LDK-së, përveç, Agim Veliut, Lutfi Hazirit e Vjosa Osmanit, do të jenë edhe Ismet Beqiri, Imri Ahmeti, Anton Quni, Gazmend Muhaxheri dhe Haki Rugova.
Për emërimin e Muhaxherit në postin e nënkryetarit të LDK-së, ka pasur edhe konfirmim zyrtar nga dega e LDK-së, në Pejë.
Në mbledhjen e Këshillit të LDK-së, është vendosur po ashtu që Arben Gashi të jetë shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, transmeton Telegrafi.
LDK gjatë ditës së sotme ka arritur marrëveshjen për bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i LVV-së, Albin Kurti, kanë deklaruar sot para mediave se koalicioni do të jetë në interes të qytetarëve.
Seanca për votimin e Qeverisë do të mbahet nesër duke filluar nga ora 11:00./Telegrafi/