Site icon Telegrafi

LDK shënon 35 vjetorin e themelimit me disa aktivitete

Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtuan që të themelonin një parti politike – Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ky grup caktoi kryesinë e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh.

Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Pas luftës në Kosovë, LDK në krye me Ibrahim Rugovën fitoi zgjedhjet bindshëm.

Kjo parti thotë se angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve. Aktualisht lider i partisë është Lumir Abdixhiku.

E me rastin e 35 vjetorit të themelimit Abdixhiku me struktura të partisë, sot në orën 10:30 bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa nga ora 18:00, organizohet manifestimi solemn, në nder të kësaj dite.

LDK-ja ka lëshuar njoftim për aktivitetet e Abdixhikut.

“Me rastin e 35 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari, dr. Lumir Abdixhiku me struktura të partisë, në orën 10:30 bëjnë homazhe te varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, ndërsa nga ora 18:00, në Klan Arena organizohet manifestimi solemn, në nder të kësaj feste”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version